Bashkëpunëtorët u “maskuan” si policë/Zbulohet fotoja e të burgosurit shqiptar që u arratis nga spitali në Greqi

Share

Është publikuar fotoja e të burgosurit shqiptar 41-vjeçar, i cili u arratis mbrëmjen e së premtes gjatë transferimit nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres, në një operacion që duket se ishte planifikuar me kujdes. Mediat greke raportojnë se bashkëpunëtorët e tij përdorën automjete që ngjanin me makina policie për t’iu afruar eskortës dhe për të realizuar arratisjen. Sipas informacioneve të reja, automjeti i transportit ndodhej rreth orës 23:30 në oborrin e spitalit, pranë krahut psikiatrik. Brenda tij ndodheshin 41-vjeçari shqiptar dhe dy pjesëtarë të eskortës së jashtme të burgut.

Në atë moment u shfaqën dy automjete që ngjanin me makina policie. Njëri prej tyre dyshohet se ishte një Nissan Navara, model që përdoret edhe nga njësitë e policisë greke, dhe kishte një fener të vogël. Sipas raportimeve, kjo bëri që eskortat të mendonin fillimisht se kishin të bënin me efektivë policie. Por situata ndryshoi brenda pak sekondash. Personat që zbritën nga automjetet mbanin kallashnikovë dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan shoqëruesit e të burgosurit. Më pas ata ndihmuan 41-vjeçarin të largohej, ndërsa dyshohet se morën edhe armën e shërbimit të një punonjësi të burgut.

Kush është shqiptari?
I arratisuri është një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar nga strukturat greke të Krimit të Organizuar. Ai dyshohet se ishte përfshirë në një tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti të ndodhur në një mensë. Sipas autoriteteve greke, emri i tij lidhet gjithashtu me hetime për armë dhe drogë. Megjithatë, identiteti i plotë i 41-vjeçarit nuk është bërë publik në raportimet e deritanishme.

Pas arratisjes, policia greke ka vënë në lëvizje një operacion të gjerë për kapjen e shqiptarit dhe personave të armatosur që e ndihmuan të largohej. Deri në raportimet e fundit, ata nuk janë lokalizuar. Një detaj tjetër i rëndësishëm është se në momentin e arratisjes, në të njëjtin spital ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë, të cilët ishin sjellë për trajtim me një eskortë tjetër.


Start News

Reklama
Back to top button