Përditshmëri

Sheherlinjtë e Dibrës dhe mëhalla e dibranëve ne Tirane

Share

 

Mahalla e Dibranëve është një nga toponimet e mirënjohura për të gjithë tiranasit e vjetër. Një pjesë e madhe e dibranëve sheherli janë vendosur pikërisht në këtë pjesë të Tiranës pas vitit të errët 1913, kur ata u detyruan dhunshëm të largohen nga shtëpitë e tyre në Dibër të Madhe.
Emigracioni i viteve 1912-1913 bart në vetvete karakterin e dhunës nga serbët, ku pothuajse i gjithë qyteti i Dibrës u shpërngul apo në një farë mënyre u përzu dhe për shumë pak kohë u zbraz pothuajse i tërë qyteti. Këtë shpërngulje të dhunshme të dibranëve në këtë periudhë për në Shqipëri, ku fillimisht shkuan në Elbasan e më pastaj u vendosën në Tiranë, e tregon fakti që sot në Tiranë kemi mbi 55.000 banorë të cilët janë me prejardhje dibrane. Shumë nga këto familje me origjinë dibrane, në Dibër pothuajse nuk ekzistojnë. Sot në Dibër nuk ekziston më familja Çausholli, një familje aristokrate, familja Jorganxhiu, Abule, Strazimiri, një familje e pastër dibrane, si dhe shumë familje të tjera të cilat kanë qenë të detyruara nga dhuna serbe të emigrojnë për në Tiranë.
Kjo është vala e parë e dibranëve që mbërritën në Tiranë nga dy rrugë të ndryshme. Një grup ndoqi rrugën Dibër-Strugë-Elbasan dhe Tiranë, ndërsa tjetri Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit –Tiranë. Pak familje zunë vend në Elbasan, ndërsa pjesa më e madhe e tyre zuri vend në Tiranë. Të gjithë këta sheherlinj mbërritën vetëm rrobat e trupit, sepse nuk patën kohë të merrnin ndonjë plaçkë. Vuajtjet e atij udhëtimi të vështirë të parët e familjeve dibrane i morën me vete në varr, dhe iu lanë pas ndjenjën e mirënjohjes së thellë pasardhësve të tyre për Tiranën, që i mirëpriti dhe ua hapi dyert e bujarisë. Në këngën e tij ku falënderon Tiranën dhe Tiranasit Haxhi Maqellara thotë:

Aty hangrëm bukë e krypë,

Tuj punu, e jo tuj lypë…

Familjet dibrane u integruan me shoqërinë e kohës dhe dalloheshin për përkushtimin e tyre ndaj familjes së tyre dhe punës. Kjo gjë i bëri ata ta tejkalonin me shpejtësi vuajtjet e atij eksodi të tmerrshëm.
Ata u vendosën në disa pjesë të Tiranës, por një pjesë e madhe e tyre themeluan atë që njihet edhe sot nga të gjithë Mahalla e Dibranëve. Familjet dibrane u vendosën kryesisht në të djathtë e të majtë të Xhamllikut apo Sheshit Shtraus dhe aty ndihmuan njëri-tjetrin të mëkëmbeshin. Shumë shpejt e blenë truallin ku ndërtuan shtëpitë dhe me punë e përkushtim i dhanë jetë një Tirane të re. Dyert e shtëpive rrinin të hapura dhe ashtu si i mikpritën tiranasit ata iu përgjigjën me të njëjtën monedhë bujarie atyre. Madje shumë shpejt filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranve, saqë 80% e familjeve të hershme dibrane pasardhësit e tyre njërin prind e kanë dibran e tjetrin tiranas.
Disa nga mbiemrat që mund të përmendim këtu të Mahallës së Dibranëve janë: Saraçi, Klloboçishta, Sengla, Jashari, Shamku, Torozi, Çanka, Ostreni, Muhaxhiri, Gorenca, Varvarica, Çoku, Basha, Pregja, Pustina etj.
Tirana ka pasur disa pika ku janë vendosur familjet dibrane si: te Namazgjaja, mahalla Shebekve, Selvia, Pazari i Ri, Abdullah bej etj., ku në periudha historike ka pasur lëvizje të ndryshme demografike. Komuniteti dibran është i dyti i ardhur në Tiranë, ku përpara tyre kanë qenë të vendosur çobanët apo llaci-facët e Tiranës (vllahët).
Një pjesë e atyre që u vendosën pranë zonës së Pazarit të Ri janë familja e Xhelo Dibrës, Xhuglinët, Kurinjtë, Hysat, Borovat, Turkeshët dhe të tjerë. Ishin pikërisht familjet dibrane që ndihmuan në ndërtimin e godinës së re të Xhamisë së Kokonozit në vitin 1933, së bashku edhe me familjen tiranase Kokonozi, pasardhësit e Mahmud agë Kokonozit, i cili ishte ai që e ndërtoi i pari xhaminë. Gjatë kësaj periudhe familjet dibrane u dalluan edhe me pjesëmarrjen e tyre në politikë, ku kujtojmë këtu Haxhi Vehbi Dibrën Agolli, me Hafuz Sherif Langun, familjen Shatku e dalluar për juristët e shquar që i dha këtij vendi. Regjentin Fuad Dibra, i cili e shkriu të gjithë pasurinë e vet për Shqipërinë, Hafuz Xhemalin, i cili la Stambollin dhe postet e larta atje për të dhënë kontributin e vet për Shqipërinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore do të vinte një valë e re dibranësh nga Peshkopia dhe rrethinat e saj. Gjatë kësaj kohe shumë dibranë u shquan në të gjitha fushat e jetës, si në sport, muzikë, shkencë etj. Emri i Agim Bardullës, është shumë i njohur në shkencat matematikore, i Hiqmet Gonxhes nga topografët e parë që hodhën në harta relievin malor shqiptar.
Emra të tjerë të shquar në sport mund të përmendim Feti Borovën dhe Luan Grevën në basketboll, Luan Senglën apo Lushkun futbollist-mesfushor i shquar i Tiranës, Ramiz Pregja gjyqtar futbolli, në fushën e artit kompozitorët Agim Krajka, Munir Shehu, Naim Plaku e Is’hak Shehu; aktorin Sulejman Pitarka, violonçelistin e famshëm Ymer Skënderi, regjisorin dhe karikaturistin Bujar Kapexhiu, Adriatik Metuli, solist dhe koreograf në Ansamblin e Valleve Popullore, aktoren dhe balerinën Adivije Sharofi, balerinën e shquar Mukades Erebara. Pastiçerët e familjes Reka të mirënjohur në të gjithë Tiranën për ëmbëlsirat e tyre.
Pas viteve 1990 sheherlinjtë e Tiranës janë mbledhur rreth shoqatës Bashkësia Dibrane, ku me veprimtari të ndryshme në Tiranë dhe në Dibër të Madhe përpiqen të ruajnë vlerat dhe lidhjet e vjetra me qytetin nga e kanë prejardhjen. Në krye të shoqatës është regjisori dhe karikaturisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu. Marrëdhënie të ngrohta janë vendosur me kryetarin e Komunës Dibër dr. Ruzhdi Lata, duke shkëmbyer vizita dhe duke përkujtuar me sesione jubilare eksodin dibran të vitit 1913.
Hafuzlerët dibranë në shërbim të kombit: Hoxhë Voka (Said Najdeni); Hafiz Vildan Faik Dibra – (?-1925); Hafiz Raif Kadiu (1884-1943); Hafiz Ismet Dibra – (1886-1955); Hafiz Muharrem Mullahi (1880-1964); Hafiz Fiqiri Skënderi (1903-1969); Haki Sharofi (1894 – 1977); Salih Ferhat Hoxha -(1917-1995); Hafuz Xhemal Dibra; Haxhi Vehbi Dibra Agolli – (1867-1937); Hafiz Sherif Langu – (1877-1956)

Mbiemra të familjeve dibrane në Tiranë:

Pitarka, Pustina, Saraçi, Klloboçishta, Sengla, Jashari, Shamku, Torozi, Çanka, Ostreni, Muhaxhiri, Gorenca, Varvarica, Çoku, Basha, Pregja, Oshafi, Reka, Kapexhiu, Erebara, Strazimiri, Kodra, Menzelxhiu, Xhuglini, Dibra, Agolli, Najdeni, Cami, Hysa, Borova, Jorganxhiu, Daci, Abule, Çausholli, Verzivolli, Kuçuku, Kosovrasti, Juca, Kërçiku, Sakiqi, Langu, Lata, mund të përmendim këtu dhe familjet tregtare dibrane si: Spahiu, Zeqja, Turkeshi, Zllatku, Dibra, Lazimi, Haxhiymeri, Haxhirexha, Pilku, Prapaniku,Tërshana, Leksani, Laçi, Qylafku, Resuli, si dhe familja Shijaku ndër familjet e mëdha tregtare në Shqipëri etj. Rusi, Fishta, Zeraliu, Kuriu, Kujofska, Brekofska, Pasholli, Lleshi, Mullahi etj.

Një kafe nga ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button