Sfida ndaj Shqipërisë, trajneri çek: Nuk na kënaq barazimi, të shmangim gabimet e një viti më parë
Trajneri i Çekisë, Ivan Hasek, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshme para sfidës kundër Shqipërisë teksa ka dhënë mendimet e tij për këtë duel.
Ai e ka nisur prononcimin e tij duke folur për mungesën e qendërmbrojtësve kryesorë të ekipit.
“Ne prisnim të kishim disa mungesa por në fund doli që ishin të tre mbrojtësit. Megjithatë, kemi lojtarë me eksperiencë në futbollin ndërkombëtar, i kemi përzgjedhur në bazë të formës së tyre dhe besoj se do të jenë në gjendje të bëjnë detyrën siç duhet”, tha Hashek para gazetarëve.
Formacioni – “Fillimisht uroj që të gjithë ta përballojnë stërvitjen e fundit dhe të jenë në shëndet të mirë. Ne kemi përgatitur variante të ndryshme dhe po përgatiteshim për çdo situatë që në Pragë”.
A e kënaq barazimi – “Ne kemi një objektiv të qartë dhe ai është që të kalojmë grupin në vendin e parë. Është në lojë edhe vendi në Kupën e Botës ndaj duam të përfundojmë të parët në grup nga ky këndvështrim gjithashtu. Nuk dua të bëj llogari apo të them se do ta preferoja një barazim. Objektivi është të fitojmë grupin”.
Çfarë pret nga Shqipëria – “I kemi parë në ndeshje të ndryshe, ata janë një skuadër cilësore me një trajner të shkëlqyer. Është një skuadër që mund të luajë çdo stil, të sulmojë lart, por në të njëjtën kohë të luajë edhe në qendër apo e tërhequr me një bllok në thellësi pa asnjë lloj problemi dhe të shkojë në kundërsulme. Ata kanë lojtarë cilësorë për ta bërë një gjë të tillë.
Ne nuk duam që të shohim një përsëritje të asaj që ndodhi në ndeshjen e vitit të kaluar kur lojtarët tanë u dorëzuan përballë atmosferës në stadium, bëmë shumë gabime dhe gabuan në kundërsulme. Tranzicioni drejt sulmit i Shqipërisë është shumë i shpejtë dhe vdekjeprurës”.
Shqipëria shënon nga distanca – “Ne e dimë për të gjithë lojtarët që mund të shënojnë gola të tillë. Do të mundohemi që të mbrohemi në një mënyrë të tillë që të mos i lejojmë në situata të tilla, pasi janë situata të rrezikshme. E dimë që shqiptarët janë mjaft të aftë në këto lloj gjuajtjesh”, tha ndër të tjera trajneri i Çekisë.