Aktualitet dhe Lajme

Rama s’e lëshon Oltën, kërkojnë opinionin Komisionit të Venecias për çështjen e mandatit

Share

Edi Rama duket i vendosur të mos e lëshojë Olta Xhaçkën. Pasi refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca bën njv tjetër hap për të fituar kohë dhe për ta çuar çështjen e mandatit të ish-ministres që shpalli burrin e saj investitor strategjik në një drejtim tjetër. Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese riçeljen e shqyrtimit gjyqësor sa i përket çështjes së mandatit të deputetes socialiste Olta Xhacka.

Qëllimi i kërkesës është që Gjykata Kushtetuese t’i kërkojë një opinion këshillimor Komisionit të Venecias. Pra, kërkohet të fitohet kohë ndërkohë që kjo legjislaturë po shkon drejt fundit.

Në kërkesën e firmosur nga avokatja që përfaqëson Kuvendin, theksohet se shikohet e nevojshme “që të kërkohet një mendim këshillimor nga Komisioni i Venecias, në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe rolit të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.

Vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese që detyronte Kuvendin t’ia dërgonte të njëjtën çështje për shqyrtim, u injorua nga deputetët e mazhorancës. Kjo bëri që opozita ta ridërgonte çështjen për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka zhvilluar për së dyti seancat me palët dhe pritet të dalë me vendim.

Në kërkesën e fundit, avokatja e Kuvendit thekson se deputeti nuk mund të detyrohet në votim, por i nënshtrohet vetëm bindjes dhe ndërgjegjes së tij. Ndaj dhe Kuvendi kërkon që të rihapet çështja dhe Komisioni i Venecias të pyetet nëse mund të detyrohet një deputet që të votojë në një mënyrë të caktuar, para se Gjykata Kushtetuese të shprehet për së dyti për mandatin e Olta Xhaçkës.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button