Protestat në “El Clasico”: Dënohen Rudiger dhe Lucas Vazquez, shpëton Bellingham

Gjashtë ndeshje pezullim: kaq është dënimi për Antonio Rüdiger, mbrojtësi gjerman i Realit të Madridit, për protestën e tij të bujshme në fundin e ndeshjes Barcelona-Real, në finalen e Kupës së Mbretit.
Lojtari i “merengues” nga pankina kishte hedhur një qese me akull drejt arbitrit dhe u përjashtua nga fusha. Skualifikimi i vendosur nga organi disiplinor spanjoll do të ketë një efekt të kufizuar te Rudiger, i cili vendosi t’i nënshtrohej një operacioni në gju dhe kështu përfundoi sezonin e tij.
Rüdiger do të mungojë edhe në finalet e Ligës së Kombeve me kombëtaren e tij, por protesta e lojtarit në El Clasico ka shkaktuar polemika në Gjermani; Voeller, drejtori sportiv i kombëtares, ka lënë të kuptohet se ndaj lojtarit do të merren masa.
Dy ndeshje pezullim nga sistemi i drejtësisë sportive spanjolle iu dha edhe Lucas Vazquez, i cili u përjashtua me karton të kuq në sherrin final, ndërsa Jude Bellingham u shpall i pafajshëm falë një videoje të prezantuar nga Reali, ku tregohej se anglezi nuk e meritonte kartonin e kuq të gjyqtarit.