Aktualitet dhe Lajme

Prokuroria e Vlorës kërkon 15 vite burg për policin Arjan Tase që vrau me skaf 7-vjeçaren në Potam

Share

Prokuroria Vlorë kërkon deklarimin fajtor të ish-policit Arjan Tase dhe kërkon dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje”, pasi përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia në Potam dy vite më parë.

Sipas një njoftimi për mediat, mësohet se Prokuroria kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Tase dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi Bledar Avdia me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin.

“Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’”, njofton Prokuroria e Vlores.

Njoftimi

Prokuroria Vlorë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T. dhe dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje’; Konkluzionet

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin A.T. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.

Ngjarja tragjike

Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.

Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Tragjedia solli reagimin e gjithë opinion publik, ku disa ditë me radhë u zhvilluan edhe protesta. Kjo tragjedi solli edhe reagimin e policisë, e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar dhe ka një kontroll të imtësishëm nga policia.

Më 11 korrik, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish efektivin dhe 8 policë të tjerë, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren.

“Vdekja e Jonadës na tronditi dhe na bëri të reflektojmë për shoqërinë ku jetojmë. Të gjithë si shoqëri duhet të luftojmë fort, në çdo mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë dhe që të bëhet drejtësi për Jonadën. Autori duhet të marrë dënimin maksimal nga drejtësia, dënim që ende nuk është dhënë dhe që të gjithë e presim”, shprehet gazetari.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button