
Protestat e dhunshme në Tiranë kanë sjellë pezullim të transportit publik në Tiranë e Kamëz për shkak të sulmeve ndaj urbanëve, tashmë të thyer që s’mund të qarkullojnë
Shkak është bërë edhe bllokimi i disa akseve rrugore. Pezullimi do të vijojë deri në momentin kur s’do të paraqitet më rrezik për transportin urban.
Shërbimi i transportit publik qytetas në Tiranë është pezulluar përkohësisht, si pasojë e protestave të zhvilluara, bllokimit të akseve kryesore rrugore dhe situatës së krijuar, e cila ka penguar funksionimin normal të linjave të transportit publik në kryeqytet.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, z. Kostandin Foni, bën me dije se, përveç ndërprerjeve të shërbimit dhe pamundësisë për realizimin e kilometrave të planifikuara, gjatë protestave janë shkaktuar edhe dëme materiale në mjetet e transportit publik.
Sipas vlerësimeve paraprake, deri në këto momente, dëmet e shkaktuara në flotën e autobusëve përllogariten në rreth 2 milionë lekë.
Kjo vlerë mbetet ende në proces evidentimi dhe verifikimi, ndaj shuma përfundimtare mund të ndryshojë në varësi të konstatimit të plotë të dëmtimeve.
Z. Foni thekson se pezullimi i përkohshëm i shërbimit është diktuar nga pamundësia për të garantuar qarkullimin normal dhe të sigurt të autobusëve, si dhe nga nevoja për të parandaluar dëmtime të mëtejshme të mjeteve dhe për të mbrojtur sigurinë e personelit dhe pasagjerëve.
Gjithashtu, rikthimi i qarkullimit rrugor në normalitet nuk nënkupton domosdoshmërisht rifillimin e menjëhershëm të shërbimit me kapacitet të plotë, pasi autobusët e dëmtuar kërkojnë kohën e nevojshme për riparim, kontroll teknik dhe rikthim në operim.
Pezullimi i transportit publik ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen e qytetarëve që e përdorin çdo ditë këtë shërbim për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme, përfshirë vajtjen në punë, institucione arsimore dhe shërbime të tjera.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas bën me dije se rikthimi i plotë i shërbimit do të varet nga stabilizimi i situatës, garantimi i kushteve të sigurisë në qarkullim dhe përfundimi i ndërhyrjeve të nevojshme për riparimin e mjeteve të dëmtuara.
Start News