Aktualitet dhe Lajme

Po kolaudonin “nëndetësen” për transportin e drogës! Kapen në Itali dy vëllezërit shqiptarë, drejtues të rrjetit të kokainës

Share

Dy vëllezër shqiptarë dyshohet të jenë drejtuesit e një grupi kriminal të narkotrafikut, që donin të transportonin drogë midis shteteve duke përdorur nëndetëse të pilotuara në distancë.

9 persona kanë rënë në pranga nga policia italiane në bashkëpunim me forcat shqiptare dhe Interpolin, nga të cilët 6 janë vetëm në Itali, në provincat e Torinos dhe Frosinones. Hetuesit mendojnë se baza logjistike kishte edhe në Ekuador, Belgjikë, Francë dhe Spanjë.

Sipas hetimeve që nisën nga nëntori i vitit 2021, grupi kriminal dyshohet se sillte ngarkesa të ndryshme me lëndë narkotike të llojit kokainë, hashash dhe marijuhanë, për t’i shpërndarë ato më pas në disa pika të rëndësishme brenda Italisë.

Në kuadër të operacionit “Lavazhi”, ata u filmuan edhe duke kolauduar mjetin e tyre për lundrimin nën ujë. Trafikantët dyshohet se ende nuk e kishin vënë në punë nëndetëse e tyre.

Nga nëntori i vitit 2021 deri në fund të 2022-shit, grupi raportohet se ka trafikuar mbi 204 kilogramë kokainë, hashash dhe marijuhanë. Lënda narkotike dyshohet të ketë pasur si origjinë Amerikën e Jugut, më tej përmes porteve të Holandës, Spanjës e Francës transportohej në Itali e më gjerë. /La Stampa


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button