Pensionistët protestojnë sërish të martën: Këta që na qeverisin mendojnë vetëm për të vjedhur!
Pensionistët do të protestojnë sërish ditën e martën (12 nëntor), për të katërtën javë rresht, para godinës së Kryeministrisë, për të kërkuar pensione dinjitoze dhe minimumin jetik.
Këtë gjë e ka bërë me dije “Lëvizja Bashkë”, një prej organizatoreve të kësaj proteste, ku në postimin e saj në rrjetet sociale shkruan se Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për nivelin e pensioneve dhe i pari për numrin e emigrantëve në raport me popullsinë.
Sipas “Lëvizjes Bashkë”, këta që na qeverisin dhe ata që na kanë qeverisur kanë menduar vetëm për të na vjedhur, duke iu bërë thirrje pensionistëve që të dalin para Kryeministrisë.
Kujtojmë se Qeveria po “tallet” me pensionistët, ku pak kohë më parë ia u rriti pensionet vetëm me nga 4 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që me rritjen e kostove të jetesës, pensionistët nuk sigurojnë dot me paratë e pensionit as gjërat bazike.
PROTESTË PËR PENSIONE DINJITOZE DHE MINIMUMIN JETIK
Ditën e martë në orën 10:00 mblidhemi sërish për të protestuar përpara kryeministrisë.
Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për nivelin e pensioneve dhe i pari për numrin e emigrantëve në raport me popullsinë.
Këta që na qeverisin dhe ata që na kanë qeverisur kanë menduar vetëm për të na vjedhur. Nuk kanë menduar asnjë ditë për pensionistët, për punëtorët, për shtresën e mesme apo sipërmarrësit e vegjël.
Lëvizja BASHKË dhe grupimi Pensionistët Bashkë iu bëjnë thirrje të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që të na bashkohen në protestën e katërt radhazi për pensione dinjitoze dhe minimum jetik.