
Një studente 21-vjeçare në Shtetet e Bashkuara ka mbijetuar pasi ra nga kati i tetë i një pallati, në një incident që autoritetet po e hetojnë si aksident.
Kristin Sargent, studente e vitit të fundit në Universitetin e Xhorxhias, ra nga një dritare e hapur e kompleksit të apartamenteve “The Rambler” në Athens, Georgia, rreth orës 19:30 të së shtunës.
Sipas autoriteteve, 21-vjeçarja ndodhej mbi një divan ose dyshek me ajër pranë dritares dhe po kërcente kur humbi ekuilibrin dhe ra jashtë, duke kaluar përmes rrjetës së dritares.
Kur policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, e gjetën studenten në tarracën e pishinës së kompleksit. Sipas raportit të autoriteteve, një karrige metalike e pishinës, e pajisur me jastëk, duket se ka zbutur një pjesë të goditjes.
Në vendngjarje u gjet gjak mbi jastëk, ndërsa njëri prej krahëve të karriges ishte thyer nga forca e përplasjes.
Kristin u transportua me urgjencë në spital, ku po trajtohet në Njësinë e Kujdesit Intensiv për shkak të lëndimeve dhe frakturave të shumta. Pavarësisht rëndesës së plagëve, autoritetet raportuan se në orët e para pas incidentit ajo ishte e vetëdijshme, vigjilente dhe në gjendje të komunikonte.
Babai i 21-vjeçares tregoi momentin kur familja mori vesh për aksidentin.
“Dikush na telefonoi dhe tha: ‘O Zot, Kristin ra shumë keq’”, rrëfeu ai.
Familja udhëtoi menjëherë nga Virxhinia drejt Xhorxhias për të qëndruar pranë saj gjatë trajtimit në spital.
Sipas babait, studentja e kishte kuptuar menjëherë se sa me fat kishte qenë që i mbijetoi rënies. Ai tregoi se vajza kishte komunikuar me një shoqe dhe i kishte thënë: “Jam gjallë. Nuk mund ta besoj”.
“Ajo është e fortë dhe do të jetë mirë”, tha babai i saj, duke shprehur optimizëm për rikuperimin e saj.
Incidenti ndodhi disa orë pasi ekipi i futbollit amerikan të Universitetit të Xhorxhias, Georgia Bulldogs, kishte mposhtur Oklahoma Sooners me rezultatin 41-13. Sipas babait të vajzës, shumë studentë po festonin fitoren e ekipit atë mbrëmje.
Deri tani, policia nuk ka bërë të ditur nëse alkooli apo substanca të tjera kanë pasur ndonjë rol në incident. Autoritetet po e trajtojnë ngjarjen si aksident, bazuar në informacionet e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit.
Start News