Aktualitet dhe Lajme

Nga zhurmat te menaxhimi i trafikut, Balla rendit masat që do të ndërmerren gjatë sezonit turistik

Share

Sezoni i ri turistik është në prag dhe nisur nga numri i lartë i turistëve në vitin paraardhës, pritet që  fluksi të rritet. Por a do të ndodhë e njëjta gjë me masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e periudhës së ngarkuar?

Problemi i parë që Blendi Fevziu ngriti për ministrin e Brendshëm në emisionin “Opinion” në Tv Klan janë zhurmat. Bizneset përgjatë vijës bregdetare nuk respektojnë ligjin, tejkalojnë orarin, krijojnë mbivendosje të muzikës duke shkaktuar një ndotje akustike shqetësuese për pushuesit.

Taulant Balla: Vitin e kaluar kam konstatuar që patrullat e policisë nuk ishin të pajisura me mjetet e duhura për të bërë konstatimin e shkeljes.

Blendi Fevziu: Për të matur zhurmën?

Taulant Balla: Jo, ideja është si do e provosh sepse shumë raste shkonin në gjykatë.

Blendi Fevziu: Me pajisje direkt, e mas sa e keni zërin ju këtu në studio.

Taulant Balla: Po e pajisim Policinë e Shtetit, shpresoj që këto procedurat e marrjes në dorëzim të përmbyllen. Të gjitha patrullat e Policisë së Shtetit në të gjitha zonat turistike dhe jo vetëm, do të jenë të pajisur me këto pajisje që masin në mënyrë të menjëhershme zhurmën dhe bëjnë aktin e konstatimit të cilit i bashkëngjitet edhe akti i penalizimit. Dua t’i drejtohem të gjithë  operatorëve nga ky komunikim   publik: mos rrezikoni kot të fitoni 2 klientë më shumë sepse humbni 100 të tjerë por bindjuni afatit dhe bindjuni normës së përcaktuar.

Çështja e radhës ishte prania e forcave të policisë përgjatë territorit.

Blendi Fevziu: Do ketë zhvendosje të policisë?

Taulant Balla: 1600 forca policie nga pjesët e tjera të territorit do të sposothen.

Blendi Fevziu: Nga cilat zona?

Taulant Balla: Nga Velipoja deri në Ksamil.

Pika e radhës në diskutim ishte mbingarkimi nga trafiku. Balla tha se vitin e shkuar ka patur rreth 850 mijë automjete shqiptare dhe 2.8 milionë të huaja në qarkullim, ndërsa këtë vit shifra pritet të shkojë në 4.5 milionë. Ai e cilësoi të vështirë, por shprehu optimizëm për menaxhimin e trafikut përmes investimeve në infrastrukturë si korridori Kashar-Thumanë dhe tuneli i Llogarasë.

Taulant Balla: Presim që të kemi në rrugët e Shqipërisë me këtë ritëm diku te 4.5 milionë makina. Tani imagjinoni t’i vendosësh, sigurisht nuk janë në të njëjtën ditë, por janë gjatë gjithë vitit por me 360-3700  km rrugë kombëtare do të kesh 4.5 milionë makina është shumë e vështirë menaxhimi i trafikut. Por falë investimeve që po bëhen në infrastrukturë, falë korridoreve të reja që po krijohen, unë mund të them që korridori i ri Kashar-Thumanë do të ketë impakt të paparë sa i përket uljen e trafikut në disa prej kulmeve ose pikave të rëndësishme të krijimit të trafikut dhe hapja e tunelit të Llogarasë do të ketë një impakt të rëndësishëm.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button