Në pranga ati me të birin/ Siguronin kokainë dhe heroinë dhe i shpërndanin në afërsi të shkollave e lokaleve
Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Lushnjës, pasi akuzohen për shitje droge në zona të ndryshme të qytetit. Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasi me inicialet I. B., 61 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi V. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”. Siguronin droga të forta, kokainë dhe heroinë, i përpunonin dhe i ndanin në doza në banesë, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme, vihen pranga babë e bir. Sekuestrohen 420 doza heroine, 77 doza kokaine, një sasi lënde e dyshuar si përzierës i lëndëve narkotike, 2 peshore elektronike, vlerë monetare që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë.
Në vijim të veprimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier u bë i mundur arrestimi i dy shtetasve të mësipërm, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin punën për pregatitjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike, vlera monetare dhe 3 celularë. Vijon puna nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave te tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Huazuar nga Javanews.al