Napoli ‘shqiptarizon’ dyshen e mbrojtjes, nisin bisedimet me lojtarin e Kombëtares
![](https://nediber.com/wp-content/uploads/2024/03/Keidi-Bare-Ardian-Ismajli-Berat-Gjimshiti-750x500-1-750x470.jpg)
Ardian Ismajli është drejt transferimit te Napoli. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është kthyer në një objektiv serioz i kampionëve në fuqi të Italisë, të cilët e duan në ekip për të ‘shqiptarizuar’ dyshen e mbrojtjes me Amir Rrahmanin.
Sipas “Corriere dello Sport”, agjenti i Ismajlit, Serxho Mezi disa ditë më parë ka udhëtuar drejt Napolit, ku ka qenë në zyrat e klubit.
Tema kryesore e takimit të agjentit të Ismajlit dhe drejtuesve napolitanë ka qenë pikërisht mundësia e transferimit të 27-vjeçarit.
Një arsye që mund ta shtyjë mbrojtësin e Kombëtares sonë drejt Napolit është drejtori sportiv i këtyre të fundit, Meluso.
Meluso ka punuar edhe më herët me Ismajlin në kohën kur ishte pjesë e Empolit.
Për këta të fundit, Ismajli ka tre vite që është një pikë kyçe në repartin difensiv, teksa tashmë është gati për të hedhur hapin e madh në karrierë.