Ministeriali i Mbrojtjes i Evropës Juglindore në Tiranë, Vengu: Shqipëria, nyje e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale
Ministeriali i Mbrojtjes i Evropës Juglindore (SEDM) po mbahet në Tiranë në datat 5-7 nëntor, ku janë të pranishëm personalitete dhe përfaqësues të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes nga rajoni dhe bota.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se kjo nismë mbetet e rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit rajonal, fqinjësinë e mirë, rritjes së kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimit në strukturat euroatlantike.
“Shqipëria këtë vit është kthyer në një nyje të bashkëpunimit, të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale, duke kryesuar dhe mikpritur disa formate të rëndësishme.
Kthjelltësia dhe angazhimi i Shqipërisë në mbështetje të agjendës së NATO dhe BE mbetet i padiskutueshëm veçanërisht për rritur qëndrueshmërinë kombëtare, forcuar mbrojtjen kolektive dhe frenuar ambiciet e aktorëve të tretë”, shkruan Vengu.
Ai shtoi se vajzat dhe djemtë e FA ndodhen sot në Republikën e Kosovës, në Bosnjë, në Letoni Bullgari, Irak, në detin Egje, Sudanin e Jugut dhe Sinai, por vendi ynë ka vënë në dispozicion të sigurisë së përbashkët edhe asetet kombëtare si Baza Ajrore e Kuçovës, për të vijuar më tej me korridorin 8 për lëvizshmërinë ushtarake me gjithë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe detare, siç do të jetë edhe porti i ri ushtarak i Porto Romanos.
“Roli i Shqipërisë si aktor i rëndësishëm i sigurisë dhe faktor stabiliteti në rajon vijon më tej gjatë këtij viti kur do të presim në fillim të dhjetorit në Tiranë, Ministerialin e Kartës së Adriatikut A-5”, tha ministri Vengu.
Ky ministerial mbledh përfaqësues të vendeve anëtare të SEDM, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Rumaninë, Turqinë, Slloveninë, Serbinë, Ukrainën, Moldavi, Gjeorgji dhe SHBA-në. Gjithashtu në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues nga organizatat RACVIAC, UNDP/SEESAC.