Bregu: Misioni ynë gjatë 6 viteve të fundit ka qenë jo vetëm të përshtatemi me ndryshimin, por ta udhëheqim atë
Sarajevë – Takimi i 54-të i Bordit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) u mbajt sot në Sarajevë, i kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së,Majlinda Bregu.
Pjesëmarrësit e Bordit të RCC-së e uruan zonjën Bregu për sukseset që ka arritur në axhendat e bashkëpunimit rajonal gjatë mandatit të saj dhe e falënderuan për përkushtimin dhe këmbënguljen e saj në udhëheqjen dhe ndjekjen e bashkëpunimit në rajonin tonë.
“Jam e nderuar që kam shërbyer si Sekretare e Përgjithshme e RCC-së gjatë këtyre gjashtë viteve të jashtëzakonshëm dhe kam qenë dëshmitare e solidaritetit në rajonin tonë si edhe mes rajonit tonë dhe BE-së. Që nga fillimi, jam udhëhequr nga parimi se bashkëpunimi është aseti më i fortë yni në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Afër gjashtë vjet pas marrjes së detyrës, ky parim mbetet më i rëndësishëm se kurdoherë. Misioni ynë gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë i qartë: jo vetëm të përshtatemi me ndryshimin, por edhe ta udhëheqim atë. Ne kemi arritur të rritemi dhe të bëhemi një lojtar i rëndësishëm në shtytjen përpara të axhendës rajonale,” tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.
Ajo theksoi se gjatë gjashtë viteve të kaluara rajoni ka miratuar dhe nënshkruar rreth 20 marrëveshje dhe deklarata, duke përfshirë axhendat e mobilitetit që janë miratuar tashmë, duke siguruar lëvizjen e qytetarëve, studentëve dhe profesionistëve në rajon. “Ne transformuam integrimin ekonomik rajonal të Ballkanit Perëndimor në një bashkëpunim më të gjerë socio-ekonomik,” shtoi Bregu, duke theksuar se falë mbështetjes financiare nga BE-ja, RCC ka arritur të zhvillohet me projekte të reja si “Laboratori i Rinisë i Ballkanit Perëndimor”, i cili angazhon të rinjtë në bashkëpunimin rajonal, dhe “Qeverisja Integrative e Sigurisë së Brendshme”.
“Puna për integrimin në BE nuk është një detyrë e lehtë për një vend, dhe unë e kam bërë këtë çdo ditë për 12 vjet të plota në Shqipëri, por është padyshim më sfiduese për një rajon. Çdo hap kërkon kompromis, qëndrueshmëri dhe vendosmëri përballë vështirësive. Pas gjashtë vitesh mund të them se kurrë ky rajon nuk ka qenë kaq i lirë dhe kaq i ndërgjegjshëm sa është tani për rëndësinë e bashkëpunimit. Të gjithë ne ia detyrojmë këtë situatë kryesisht procesit të integrimit në BE,” përfundoi Bregu.
Sekretarja e Përgjithshme Bregu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e bordit për mbështetjen e dhënë gjatë gjashtë viteve të kaluara dhe u uroi atyre, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm, Amer Kapetanoviç, i cili do të marrë detyrën më 1 janar 2025, një vazhdimësi të suksesshme të punës së rëndësishme të bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrësit e Bordit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) miratuan Raportin e Sekretares së Përgjithshme të RCC-së, Majlinda Bregu, për aktivitetet e organizatës gjatë periudhës së kaluar dhe lavdëruan punën e RCC-së, duke konfirmuar miratimin e plotë për aktivitetet e planifikuara për fazën e ardhshme. Pjesëmarrësit e Bordit gjithashtu miratuan Buxhetin e Sekretariatit të RCC-së për vitin 2025 dhe vendosën datat për takimin e rradhës të vitit të ardhshëm.