Aktualitet dhe Lajme

Legjionarët/ Jasir Asani: Dhamë shpirtin në fushë, të kapim Botërorin

Share

Të gjithë prisnin një gol si ato të ndeshjeve kualifikuese nga Jasir Asani, por edhe pse anësori e tentoi disa herë, diçka e tillë nuk u realizua. Siç thotë edhe vetë Jasiri në intervistën për Panorama Sport, do e kishte ndërruar një gol të eliminatoreve me një nga ndeshjet e Europianit.

Megjithatë, një performancë në përgjithësi e mirë për 29-vjeçarin, ku loja më e mirë ishte kundër Kroacisë, madje dha edhe një asist për Laçin, si edhe nxori Asllanin vetëm me portierin, të cilin nuk e mposhti dot. Ndërkohë, Asani jep edhe një koment në lidhje me të ardhmen, ku flitet se do të firmosë për ekipin e Las Palmas-it në La Liga.

Kishim një shans me Spanjën, e cila u shfaq edhe me ekipin e dytë, kaq ishte forca e Shqipërisë?

Me Spanjën bëmë një ndeshje të mirë. Nuk ishim pasivë, por përballë kishim një ekip shumë të fortë. Motorët i ndezëm që në minutën e parë, por të gjithë e dinë që ishte Spanja dhe dhamë maksimumin dhe iu treguam se nuk është aq e lehtë që të na mposhtësh si ekip. Kemi pasur edhe raste për të barazuar. Gjithsesi, është një eksperiencë nga më të mirat në karrierë.

A mund të bënte më shumë Kombëtarja shqiptare në këto tri ndeshje të Europianit?

Mendoj se çdo ndeshje ka maksimumin e vet sepse me tre skuadrat që jemi përballur, janë nga më të mirat në botë dhe normalisht që do të ketë ndonjëherë edhe vështirësi, kundër Spanjës, Kroacisë apo Italisë. Me pak fat, po t’i kishim marrë ato tri pikë me kroatët, do të ishim më të qetë dhe kishim më shumë shanse për të vazhduar më përpara, por gjithsesi të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe shpirtin në fushë. Kjo është një eksperiencë për ne që të vazhdojmë akoma edhe më përpara.

Do ta ndërronit një nga golat e kualifikueseve me një gol në Europian?

Do të doja shumë, por gjithsesi jam i lumtur edhe për golat që shënuam, sepse jemi të gjithë bashkë dhe dhamë shpirtin në fushë e tani duhet të ecim përpara sepse kjo ishte një eksperiencë që nuk do të harrohet asnjëherë dhe na shtyn që të shkojmë tutje edhe për në Botëror.

Tani do të udhëtoni për në…Las Palmas?

Nuk e di akoma, të shohim…(qesh)/m.j


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button