Mbi 60 mijë italianë vijnë në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët, biznesi 200 milionë euro në vit

Share

RAI ka bërë një kronikë për “turizmin dentar” të italianëve në Shqipëri.

Reportazhi i gazetares Anna Milan nis që në linjën ajrore Bari-Tiranë, ku ajo udhëton krah dhjetëra pacientëve italianë. Me të mbërritur në kryeqytet, kronika përshkruan përqendrimin masiv të klinikave dentare. 

“Këtu, në çdo pallat në këtë zonë ka nga një klinikë. Por ky është stadiumi i Tiranës, edhe këtu brenda ndodhen dy-tre klinika. Në qiellgërvishtësin më të lartë të qytetit, Downtown One, 18 dentistë janë në punë në të njëjtin kat, bashkë me dhomat për ata që flenë këtu”, raporton gazetarja e TG1.

Arsyeja kryesore që i shtyn italianët drejt Tiranës mbetet diferenca e madhe e çmimeve. Gjatë kronikës, një pacient italian tregon se synon të rregullojë të dyja nofullat, të sipërmen dhe të poshtmen, ndërsa përfaqësuesi i klinikës i konfirmon se kostoja varion nga 6 mijë deri në 8 mijë euro. 

“Në Itali shkonte rreth 18 mijë”, shton pacienti. E pyetur nga gazetarja se çfarë e mundëson këtë çmim dhe sa është fluksi i klientëve, përfaqësuesja e klinikës shpjegon se “pagat janë pak të ulëta dhe gjithashtu edhe taksat e favorizojnë disi”, duke shtuar se vetëm klinika e tyre pret “pak a shumë rreth 300 pacientë italianë në muaj”.

Megjithatë, reportazhi ngre edhe alarmin e dentistëve italianë mbi cilësinë dhe sigurinë e ndërhyrjeve të shpejta. 

“Rreziqet, trajtime të nxituara dhe agresive, thonë dentistët italianë; një pacient në tre pendohet”, thekson gazetarja teksa viziton klinika të tjera në kryeqytet, ku në disa prej tyre gjysma e pacientëve janë shtetas italianë. 

Në njërën prej bisedave, përfaqësuesi i klinikës i thotë pacientit: “Më dërgo panoramën, mund të rrish 3 ditë këtu”, duke ilustruar premtimin se brenda tre ditësh mund të ribëhet e gjithë nofulla.

Në mbyllje, kronika e TG1 vëren se fenomeni po kthehet në një paketë të plotë familjare. 

“E quajnë turizëm dentar, këtu vijnë mbi 60 mijë italianë në vit. Ndodh që vijnë familje ku burri bën trajtimet dentare dhe gruaja shkon të bëjë një ndërhyrje të kirurgjisë estetike. Ky biznes vlen 200 milionë euro në vit dhe deri në mbrëmje Tirana ndriçohet në kërkim të pacientëve të rinj”, përfundon reportazhi i televizionit publik italian.


Start News

Reklama
Back to top button