Kryeministri Rama: Sa më shumë duar të pastra të merren me politikë, aq më shumë gjëra të mira bëhen
Kryeministri Edi Rama, ka folur për politikën duke thënë se është bërë sinonim i së keqes, por shtoi se nuk mjafton të thuash se të gjithë politikanët janë njësoj, apo s’dua t’ia di për këtë fushë.
Gjithashtu, Rama u shpreh se sa më shumë duar të pastra të merren me politikë, aq më shumë gjëra të mira bëhen.
“Në fund të fundit, më e rëndësishmja është t’i japim politikës mundësinë të përdoret nga sa më shumë duar të mira. Politika është bërë sinonim i së keqes. Jo se politika nuk bën keq kur bie në duar të mbrapshta, por politika ka bërë dhe të gjitha gjërat që e ka ndihmuar njeriun të organizohet në shoqëri dhe ka bërë shoqëria të lulëzojë.
Nuk mjafton të thuash politikanët janë të gjithë njësoj, ose të thuaj s’dua t’ia di për politikën. Politika merret me ty, merresh apo nuk merresh tu me politikën. Prandaj sa më shumë duar të pastra të merren me politikën, aq më shumë gjëra të mira bëhen. Duke ikur nuk është zgjidhja, duke i qëndruar afër dhe duke ndarë me të tjerë punë të përbashkët, sjell ndryshimin për të mirën e të gjithëve.
Sot jemi në pikën ku alternativa e qeverisjes së PS, ushqehet nga urrejtja ndaj nesh, nga mllefi, apo nga të dyja që degëzohen në qasje dhe veprime destruktive ose në disa degëzime ku njerëz që i thonë vetes të rinj, që përveç moshës të re nuk kanë asgjë të re, përpiqen të mbingopin të tjerët me iluzione.
Por, qeverisja nuk është një burim iluzionesh, por një përgjegjësi e madhe për të çuar vendin dhe njerëzit në drejtimin e duhur, duke arritur objektiva që kërkojnë, punë, dije, eksperiencë, harmonizimin e të gjithë gjërave bashkë”, tha kreu i qeverisë.