fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Juventus në ankth për rinovimin e Rabiot: Inter rrezikon ti rrëmbejë falas francezin

Share

Këto janë ditë të nxehta te Juventusi për rinovimin e kontratës së Adrien Rabiot. Një takim me stafin e mesfushorit francez, që shkon në skadencë më 30 qershor, është në krye të listës së angazhimeve të Cristiano Giuntoli. Drejtori bardhezi dëshiron ta zgjidhë çështjen përpara fillimit të Euro 2024. Deklaratat e fundit të Rabiot për këtë çështje kanë qenë gjithmonë mjaft të paqarta, edhe sepse kishte pasiguri të madhe rreth drejtimit teknik të skuadrës. Tani, zyrtarizimi i afërt i Thiago Motta mund të sjellë një pikë kthese në këtë çështje.

Ka respekt të madh mes të dyve: ata ndanë dhomën e zhveshjes së PSG-së për pesë sezone e gjysmë dhe ish-trajneri i Bolonjës e konsideron atë një pjesë të rëndësishme në mesfushë, ashtu si e mendonte edhe Allegri. Pra, ardhja e Thiago Motta mund të përfaqësojë një shigjetë plus në harkun e drejtuesve të Juventus, në përpjekje për të bindur mamanë Veronique që të mos rrisë shumë kërkesat financiare. Megjithatë, duhet pranuar, diferencën në fund do të bëjë gjithmonë vullneti i lojtarit. Rabiot në Torino ndihet shumë mirë dhe mund të stimulohet nga rikthimi në Champions League dhe kualifikimi në Kupën e Botës për Klube.

Lexo më tej: “Nuk dinë çfarë të bëjnë vitin e ardhshëm”: Rabiot zbulon kaosin që mbizotëron te Juventus

KUJDES NGA INTER…

Me pak fjalë, në përgjithësi ka një optimizëm të kujdesshëm, por si gjithmonë në këto raste asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë. Ai i Rabiot është një profil i lakmuar për shkak të përvojës së tij dhe kalibrit ndërkombëtar. Edhe pse për momentin nuk duket se ka ndonjë ofertë konkrete për francezin, është e qartë se ato nuk do të vonojnë të mbërrijnë, në rast të dështimit për të arritur një marrëveshje me Juventus. I pari është Inter që pret me qetësi, me Marotta që nuhat një tjetër lëvizje të madhe me parametër zero. Në këtë rast do të ishte një titullar që i rrëmbehet një ekipi rival, ashtu siç bëri me Milan për Calhanoglu. E sigurt është se nuk do të duhet të presim shumë për të marrë përgjigje.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button