Aktualitet dhe Lajme

Hysaj i përgjigjet kritikave të AS dhe firmos për barazimin: “Rëndësi ka të mos humbasim”

Share

“Gjatë kualifikueseve askush nuk e priste ecurinë tonë, por treguam që mund të bëjmë gjëra të bukura dhe mund të jemi surpriza e këtij Europiani. Jemi të qetë, të sigurtë në vlerat tona, e dimë që kemi kundershtarë të vështirë, por siç thuhet në futboll, një top është dhe mund të ndodhë gjithçka”. Ky ishte mendimi i mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysaj, në konferencën për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau. Futbollisti kuqezi iu përgjigj interesit të gazetarëve duke komentuar edhe nisjen e përgatitjeve për sfidën e parë ndaj Italisë.

MBROJTËSI NUK I BESON ITALISË

Italia ka shënuar vetëm një gol në dy ndeshjet miqësore, por Hysaj nuk i beson formës së të kaltërve: “I kam parë dy ndeshjet miqësore që ka luajtur Italia. Duket nga jashtë sikur është një skuadër në vështirësi dhe po i mungon goli. Por nuk është ashtu siç duket. E njoh Italinë, e kemi parë edhe në Kampionatet e kaluara Europiane, të gjithë thonin që nuk arrin askund, por në fund fitoi Europianin”. Hysaj më pas paralajmëroi skuadrat e Grupit B ku bën pjesë Shqipëria, që i shohin kuqezinjtë si mundësia për të bërë pikë: “Edhe për ne Italia është një pikë kyçe për të kaluar grupin, ashtu siç shprehen mediat italiane. I duam edhe ne pikët. Kemi ardhur këtu për t’i marrë”.

KRITIKAT E AS

E përditshmja spanjolle AS, në analizën e saj, konstatoi se pika e dobët e Shqipërisë ishte ana e djathtë e mbrojtjes. Përgjegjësia në këtë rast bie direkt mbi Hysaj, që u preferua në atë ndeshje para Balliut, që kishte luajtur ndaj Lihtanshtejnit. “Sa i përket analizave të mediave, që thonë që mbrojtja në krahun e djathtë është e dobët, unë po bëj gati 12 vite që luaj në Serie A dhe e di potencialin tim dhe se ku gaboj. Shpresoj që të jap maksimumin për këtë fanellë, sepse nuk vij për pushime apo të luaj keq. Vij për të bërë më të mirën, të jap maksimumin”.

Sidoqoftë, mbrojtësi është gati të firmosë për një barazim kundër italianëve: “Normal, rëndësi ka të mos humbim, edhe pika është e mirë. Më mirë një sesa asnjë. Portugalia me tre barazimi kaloi grupin në vitin 2016-të. Duhet të kesh gjithmonë besim, mjafton të mos humbasësh”.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button