Aktualitet dhe Lajme

Helmimi masiv në Gjoricë, Policia nis hetimet

Share

Foto ilustruese nga Gjorica

Policia e Dibrës njoftoi të shtunën se kishte nisur hetimet, pas helmimit të disa qytetarëve në Gjoricë të Bulqizës. ”Në lidhje me këtë ngjarje, është ngritur menjëherë Grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.” Thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Në deklaratën e Policisë, thuhet se në qendrën shëndetësore Gjoricë, gjatë ditës së premte dhe ditën e shtunë, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore rreth 30 banorë të zonës, të cilët kanë shfaqur simptoma helmimi. “Sqarojmë se as gjatë ditës së djeshme dhe as ditën e sotme, në Komisariatin e Policisë Bulqizë nuk ka ardhur asnjë njoftim, nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Gjoricë në Bulqizë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm. Si në Spitalin e Bulqizës, por edhe në Qendrën Shëndetësore Gjoricë, ka pasur një fluks të vizitave me shenja helmimi nga banorët e kësaj zone, kryesisht me të vjella dhe diarre.

Në vitin 2015-të, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë investuan afro 83 milionë lekë të reja (pa tvsh) në fazën e parë të ndërtimit të këtij ujësjellësi, kompania ndërtuese ishte EGLAND.

Në fund të vitit 2020 do të përfundonte edhe tenderimi për fazën e dytë të këtij ujësjellësi, që kishte të bënte me rrjetin shpërndarës dhe depos kryesore me një vlerë prej afro 191 milionë lekë të reja, fituar nga po e njëjta kompani. Në total, vlera e investimit për ujësjellësin e Gjoricës do të kapte një vlerë prej afro 274 milionë lekë të reja (pa tvsh), ose afro 2.4 milionë euro.

Banorë e zonës e kanë ngritur vazhdimisht si shqetësim se punimet për ujësjellësin nuk janë cilësore, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button