Gëzim Xhafa, zgjidhet ushtrues i detyrës së kryetarit të bashkisë Bulqizë
Këshilli Bashkiak i Bulqizës, ka vendosur këtë të premte, që ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë, deri në përfundimin e mandatit të jetë Gëzim Xhafa. Ky i fundit nuk kishte kundërshtar tjetër brenda këshillit, ku me votim të fshehtë, nga 16 anëtarë të pranishëm arriti të merrte 11 vota pro, katër kundër dhe një votë e pavlefshme.
Xhafa ka mbajtur detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Bulqizë dhe ish-kryetar i komunës Fushë-Bulqizë.
Sipas ligjit për vetqeverisjen vendore, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionin e tij e kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Referuar po këtij ligji, në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.
Seanca për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryetarit të bashkisë Bulqizë, nisi me një kërkesë nga disa këshilltar, të cilët kërkuan largimin e medias nga salla, pa dhënë arsye. Këshilltarët e pranishëm, në shumicë vendosën që mbledhja të vazhdonte me praninë e medias.
Dy javë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi arrest me burg për Lefter Allën, ish-kryetar i Bashkisë Bulqizë, akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Me vendim të Këshillit të Ministrave, publikuar me 24 mars, u vendos edhe zyrtarisht shkarkimi i Allës.