
UASHINGTON – Miliarderi dhe manjati i njohur demokrat, George Soros, ka shënuar një rekord të ri historik në financimin e fushatave politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave më të fundit të bëra publike, Soros ka shpenzuar shifrën marramendëse prej 102.8 milionë dollarësh gjatë ciklit të fundit të zgjedhjeve të mesmandatit (midterms).
Ky investim kolosal e rendit zyrtarisht atë si donatorin individual më të madh të të gjithë fushatës deri më tani, duke e kthyer sërish në qendër të debateve të ashpra politike mes të majtës dhe të djathtës në SHBA.
Përveç peshës financiare, raportet mediatike e cilësojnë George Soros si “arkitektin kryesor” të një zhvendosjeje të madhe ideologjike brenda Partisë Demokrate. Kritikët dhe analistët politikë theksojnë se fondet e tij kanë shërbyer si shtysë kryesore për të orientuar partinë drejt asaj që konsiderohet si “e majta radikale”, duke mbështetur kandidatë dhe kauza me axhendë të mprehtë progresiste.
“George Soros ka shpenzuar plot 102.8 milionë dollarë, duke u konfirmuar si donatori më i madh individual deri më sot dhe arkitekti i zhvendosjes sizmike të Partisë Demokrate drejt të majtës radikale”, shkruhet në raportimet e agjencive ndërkombëtare.
Përfshirja e Soros në zgjedhjet amerikane nuk është një risi, por kjo shifër e fundit ka tejkaluar parashikimet, duke ndezur sërish reagime të forta nga kampi Republikan. Ndërsa mbështetësit e tij e shohin këtë si një kontribut legjitim për mbrojtjen e demokracisë dhe kauzave sociale, kundërshtarët e akuzojnë se po përdor pasurinë e tij të jashtëzakonshme për të blerë ndikim politik dhe për të ndryshuar rrënjësisht peizazhin ideologjik të vendit.
starnews.al