fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Franca shpall përbërjen e qeverisë së re, vetëm dy muaj pas zgjedhjeve

Share

Pallati presidencial francez bëri publike përbërjen e një qeverie të re ku mbizotërojnë konservatorët dhe centristët, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve që thelluan ndasitë politike, ndërsa Franca përballet me sfida financiare dhe diplomatike në rritje.

Një koalicion i krahut të majtë siguroi numrin më të madhe të vendeve në zgjedhjet parlamentare në qershor dhe korrik, por nuk arriti të fitonte një shumicë.

Grupet studentore dhe aktivistët e së majtës mbajtën protesta në mbarë vendin të shtunën kundër një qeverie që ata thonë se refuzon vullnetin e votuesve.

Presidenti Emmanuel Macron emëroi konservatorin Michel Barnier si kryeministër në fillim të këtij muaji, edhe pse partia republikane e tij pati një paraqitje të dobët në zgjedhje. Zoti Barnier e formoi qeverinë pas negociatave të vështira. Zoti Macron e dekretoi atël.

Partia e ekstremit të djathtë kundër imigracionit Bashkimi Kombëtar i politikanes Marine Le Pen nuk ka ministra në qeverinë e zotit Barnier, por ka vota të mjaftueshme në parlament për ta rrëzuar atë. Kjo parti siguroi një fitore jo të drejtpërdrejtë me emërimin e konservatorit të Bruno Retailleau si ministër të ri të brendshëm, detyra e të cilit përfshin çështje kritike të brendshme si siguria kombëtare, imigracioni dhe zbatimi i ligjit.

Përbërja dhe orientimi i qeverisë së Francës është i rëndësishëm sepse ky vend është një zë udhëheqës në politikën e BE-së, ndër ekonomitë më të mëdha të botës dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ka armë bërthamore dhe të drejtën e vetos.

Kabineti prej 39 anëtarësh përfshin kryesisht ministra nga aleanca qendrore e zotit Macron dhe republikanët konservatorë. Jean-Noël Barrot, një politikan centrist i njohur për punën e tij në transformimin dixhital dhe çështjet evropiane, është ministri i ri i Jashtëm.
Ai sjell përvojë të gjerë në çështjet komplekse ndërkombëtare, veçanërisht brenda BE-së.

Ministri i ri i financave është Antoine Armand, një figurë gjithjë e më e njohur në politikën franceze që tani ka për detyrë të drejtojë politikat fiskale të Francës dhe të menaxhojë buxhetin e ardhshëm të vitit 2025, mes presionit nga Brukseli për të trajtuar borxhin në rritje të Francës.

Sébastien Lecornu do të vazhdojë të mbajë postin e tij si ministër i mbrojtjes. Ai ka qenë i rëndësishëm në forcimin e aftësive ushtarake të Francës, përfshirë modernizimin e sistemeve të mbrojtjes dhe menaxhimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Udhëheqja e tij në mbrojtje do të jetë vendimtare për rolin e Francës brenda NATO-s dhe tensionet gjeopolitike në rritje nga luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Aftësia e zotit Barnier për të qeverisur në mënyrë efektive është tashmë nën vëzhgim. Kundërshtarët e tij politikë nga e majta zotohen ta sfidojnë atë në çdo hap, ndërsa e djathta ekstreme thotë se do të monitorojë nga afër qeverinë.

Sprova e parë e madhe politike për Kryeministrin Barnier do të vijë më 1 tetor, kur ai të mbajë fjalimin për politikat e tij në Asamblenë Kombëtare.
/VOA




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button