FOTO+VIDEO/Sulmet masive ruse në Kiev, shkon në 30 numri i viktimave, Ukraina shpall ditë zie, Zelensky: Po godasin objektivat politike

Share

Katër persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në sulmet e reja ruse gjatë natës në rajone të ndryshme të Ukrainës, ndërsa numri i viktimave nga bombardimi masiv i së enjtes në Kiev është rritur në 30, sipas autoriteteve ukrainase.

Në rajonin e Sumyt, një dron rus goditi një banesë, duke vrarë dy gra, një burrë të moshuar dhe një vajzë nën dy vjeç. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur, njoftoi kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleh Khryhorov.

Ndërkohë, në Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shtatë persona u plagosën pas një sulmi me raketa në një zonë të banuar, bëri të ditur Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit.

Autoritetet në Kiev kanë shpallur ditë zie pas sulmit më të rëndë rus ndaj kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.

Bilanci i viktimave u rrit në 30 pasi ekipet e shpëtimit nxorën edhe tre trupa të tjerë nga rrënojat. Më herët ishte raportuar për 27 të vdekur dhe 91 të plagosur.

Sulmi shkaktoi shembjen e blloqeve të tëra të apartamenteve, goditi një ndërtesë ku ishin vendosur ambulanca dhe dëmtoi një godinë ku banojnë disa diplomatë, sipas zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Anita Hipper. Gjithashtu u shkatërrua një nga depot kryesore të Kryqit të Kuq Ukrainas, ku ruheshin furnizime humanitare.

Duke vizituar zonat e goditura, presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po synon objektiva civile dhe politike për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.

“Rusia po godet objektiva politike vetëm për ta detyruar Ukrainën të heqë dorë nga shteti i saj”, deklaroi Zelensky, duke premtuar se Ukraina do t’i përgjigjet sulmeve.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e cilësoi bombardimin si sulmin “më masiv” ndaj kryeqytetit që nga fillimi i luftës dhe shpalli të premten ditë zie.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Ukrainës për të arritur objektivat e saj.

Presidenti Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke shprehur shpresën se kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimeve në samitin e ardhshëm të NATO-s.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se dëshiron arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund, sipas tij, “vrasjeve të pakuptimta”.

Gjermania vlerësoi se sulmi dëshmon se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka vullnet për negociata, ndërsa Franca kritikoi këmbënguljen e Moskës për të vazhduar luftën.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi ashpër bombardimet, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe arritjen e një armëpushimi.

Nga ana e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet ishin një përgjigje ndaj, siç i cilësoi, “akteve terroriste” të Ukrainës kundër infrastrukturës ruse. Sipas Moskës, objektivat ishin ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe infrastruktura energjetike në Kiev dhe rajonin përreth.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe depove të karburantit në territorin rus, duke shkaktuar probleme në furnizimin me karburant në disa zona të Rusisë.


starnews.al

Reklama
Back to top button