Aktualitet dhe Lajme

Erion Veliaj regjistrohet si votues në qelitë e Durrësit, juristi: Kryebashkiaku ka humbur automatikisht mandatin!

Share

Juristi Marash Logu thotë se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka humbur zyrtarisht mandatin. Ai i referohet përditësimit të bërë në platformën qeveritare “e-Albania”, ku kryebashkiaku është regjistruar si votues në qelitë e Paraburgimit të Durrësit.

“Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës”, shkruan juristi Marash Logu, duke cituar dhe ligjin.

“Neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur”, vijon ai.

Sipas Marash Logut, Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ka qenë gazetari Isa Myzyraj që ka ndarë në llogarinë e tij një përditësim të qendrës së votimit të deklaruar nga kryebashkiaku dhe politikani i lartë socialist Erion Veliaj. Ai është regjistruar si banor i Njësisë Administrative Durrës, Bashkia Durrës dhe qendra e votimit është IEVP Durrës.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button