Aktualitet dhe Lajme

Emigrantët, 19 shtete të BE-së pro modelit italo-shqiptarë, ministri belg: Refugjatët mund t’i çojmë në Shqipëri

Share

Edhe Belgjika mund të sjellë refugjatët në Shqipëri. Kjo është konfirmuar nga ish-ministri belg i Emigracionit, Théo Francken i cili gjatë një interviste u shpreh se autoritetet belge po shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me shtetet ballkanike si Shqipëria, Kosova apo dhe Maqedonia e Veriut për të përballuar sfidën e emigracionit të paligjshëm.

“Mendoj se është më mirë që të marrim për bazë modelin italo-shqiptar. Italianët në këtë mënyrë do të mbrojnë më mirë kufijtë e tyre si dhe do të dekurajojnë dhe parandalojnë hyrjen e paligjshme të azilkërkuesve sidomos nga Afrika e Veriut. Procedura sipas nesh parasheh që shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil do të realizohet jashtë kufijve evropianë. Jo në Ruandë, por ne po shikojmë për shembull vende bregdetare Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut si dhe shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor.”

Edhe shtete të tjera të BE e shohin Shqipërinë si vend për të strehuar refugjatët. Vetë kryeministri Rama konfirmoi lajmet se një kërkesë e tillë i kishte ardhur edhe nga ish-Kryeministri britanik Boris Johnson, që të gjithë refugjatët e paligjshëm në Britaninë e Madhe, në vend të Ruandës t’i sillnin në Shqipëri.

Në këtë rast, shkaku që oferta nuk u pranua, ishte mospërcaktimi i numrit të madh të refugjatëve që mbërrinin në Britaninë e Madhe, ndryshe nga Italia që përcaktoi se kërkoi ndihmë për një kapacitet prej 3 mijë refugjatësh.

Deri tani 19 vende anëtare të BE-së nën udhëheqjen e kryeministres italiane Meloni, i kanë kërkuar Komisionit Evropian që të eksplorojë mundësi të reja për të përpunuar kërkesat për azil në shtetet jashtë territorit të BE-së. Krahas Italisë shtetet më entuziaste për këtë opsion janë Belgjika, Gjermania, Austria, Republika Çeke, Danimarka, Holanda dhe tre shtetet baltike.

Ide të ngjashme po fitojnë tërheqje edhe në Bruksel. Manifesti i Partisë Popullore Evropiane (EPP) mbizotëruese të qendrës së djathtë që ka të ngjarë të dalë në krye në zgjedhjet evropiane të së dieles premton të dërgojë azilkërkuesit në “vendet e treta të sigurta.

Emmanuel Macron i Francës është ndoshta me skeptiku duke argumentuar se modeli i dërgimit të të ardhurve nga Afrika në shtetet ballkanike ishte “një tradhti ndaj vlerave evropiane”.

Marrëveshja Rama-Melonit parasheh që azilkërkuesit meshkuj nga Afrika që presin që të përpunohen kërkesat e tyre në vendin ballkanik, dhe vetëm aplikantët e suksesshëm mund të shkojnë dhe të jetojnë në Itali.

Ideja e përpunimit të kërkesave për azil jashtë BE-së nuk është e re sepse në vitin 2018 komisioni Juncker propozoi një rrjet të platformave rajonale të zbarkimit në vendet e treta të cilat do të dëmshpërbleheshin për këtë shërbim. Shtetet anëtare e refuzuan asokohe projektin duke preferuar shpërndarjen mes tyre me kuota të azilkërkuesve ide që ka dështuar tashmë.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button