Donald Trump: Do apeloj vendimin e gjykatës
Donald Trump do të apelojë vendimin e Gjykatës së New-York, e cila e shpallte fajtor për falsifikimin e të dhënave tatimore për të ndikuar në zgjedhje.
Gjithsej janë 34 akuza kundër ish Presidentit mes të cilave edhe dhënien e rreth 130 mijë dollarëve për blerë heshtjen e ish yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels, me të cilën Donald Trump besohet se kishte një aferë kur në krahë kishte gruan e tij, Melani Trump.
Në një fjalim të zhurmshëm në hollin Trump Tower në Manhattan, Trump përsëriti ankesat e tij se gjyqi ishte një përpjekje për të penguar ofertën e tij për rikthimin e Shtëpisë së Bardhë dhe paralajmëroi se tashmë asnjë amerikan nuk ndihet më i sigurt.
“Nëse ata mund ta bëjnë këtë ndaj meje, ata mund t’ia bëjnë këtë kujtdo. Këta janë njerëz të këqij. Besoj se janë njerëz të sëmurë. Ne do t’u tregojmë atyre se do të luftojmë. Ne do ta apelojmë atë mashtrim”.
Akuza për të cilën u fajësua Trump, falsifikim i të dhënave të biznesit, dënohet maksimalisht me katër vjet burg. Të tjerët të dënuar për atë krim shpesh marrin dënime më të shkurtra, gjoba ose dënim me kusht. Por kritika publike e Trump ndaj juristëve dhe dëshmitarëve gjatë gjyqit, mund ta shtyjë gjykatësin të vendosë një dënim më të ashpër, tha një ish-prokurore e Nju Jorkut.
“Për sa i përket gjyqit. Ishte shumë i padrejtë. Ne nuk na lejuan të përdornim ekspertin tonë zgjedhor në asnjë rrethanë. E patë se çfarë ndodhi me disa nga dëshmitarët që ishin në anën tonë. Ata u kryqëzuan nga çdo fjalë që deklaronin. Një njeri që duket si një engjëll, por ai është me të vërtetë një djall. Ai duket shumë i këndshëm dhe i butë”.
Sakaq, Presidenti Joe Biden tha se dënimi i Donald Trump riafirmoi “parimin amerikan se askush nuk është mbi ligjin”. Ai tha se juria përbëhej nga amerikanë të rregullt, “12 njerëz si ju”, të cilët dëgjuan provat dhe dhanë një vendim unanim.
“U rikonfirmua parimi amerikan se askush nuk është mbi ligjin. Donald Trumpit iu dha çdo mundësi për të mbrojtur veten. Ishte një çështje shtetërore, jo një çështje federale. U dëgjua nga një juri prej 12 qytetarësh, 12 amerikanësh, 12 personash. Ashtu si miliona amerikanë që shërbyen në juri, kjo juri zgjidhet në të njëjtën mënyrë që zgjidhet çdo juri në Amerikë”.
Gjykatësi Juan Merchan ka caktuar verdiktin final të fajësisë së Donald Trump për 11 korrik, katër ditë para fillimit të Konventës Kombëtare Republikane që është planifikuar të mbahet në Milwaukee.
Huazuar nga Javanews.al