Aktualitet dhe Lajme

Biden zbulon propozimin izraelit për Hamasin: Tërheqje nga Gaza brenda 6 javësh

Share

Diplomacia vijon të punojë për të ndaluar luftën në Rripin e Gazës. Izraeli i ka propozuar Hamasit një armëpushim. Këtë e ka bërë të ditur presidenti amerikan Joe Biden. “Izraeli i ka propozuar Hamasit tërheqjen e të gjitha trupave të tij nga Gaza brenda 6 javësh. Kjo është koha që Hamasi të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë marrëveshjen”, – tha Biden.

Por çfarë përfshin propozimi i Izraelit? Marrëveshja për armëpushim është e ndarë në tri faza. “Kthimi në shtëpi i të gjithë pengjeve garanton sigurinë e Izraelit, krijon një të ardhme më të mirë në Gaza pa Hamasin në pushtet dhe hedh themelet për një zgjidhje politike që garanton një të ardhme më të mirë për të dy vendet” – tha Biden që iu drejtua me një mesazh edhe aleatit të tij Izraelit: “Nuk mund të ketë një fitore totale”.

Përfaqësuesit e Egjiptit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara duhet të takohen nesër në Kajro për të gjetur një marrëveshje në funksion të rihapjes së pikës së kalimit në Rafah, nën kontrollin e Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez (i cili rikthehet në lojë), në të njëjtën kohë me tërheqjen e ushtrisë me Yllin e Davidit nga zona. Edhe kjo është një pikë vendimtare. Me rihapjen e kufirit synimi është që të ofrohet ndihma që ka nevojë popullata civile e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu përgjigj Bidenit me fjalët: “Lufta në Gaza nuk do të përfundojë derisa të eliminohet Hamasi “. Zyra e Netanyahut shpjegoi se “kryeministri autorizoi ekipin negociator për të paraqitur një plan për arritjen e këtij qëllimi, duke këmbëngulur se lufta nuk do të përfundojë derisa të arrihen të gjitha objektivat e saj, duke përfshirë kthimin e të gjithë pengjeve tanë dhe eliminimin e Hamasit”.

Përgjigja e Hamasit nuk vonoi, duke akuzuar kryeministrin izraelit se po “përdor negociatat si mbulesë për të vazhduar agresionin dhe masakrën kundër popullit tonë”. Grupi drejtoi gishtin nga Netanyahu, duke thënë se në përgjigje të “pozicionit tonë pozitiv” për rinisjen e negociatave “ai pushtoi Rafahun”, në Rripin jugor të Gazës. ©LAPSI.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button