Aktualitet dhe Lajme

Doktor, zbrit nga ballkoni… | JavaNews.al

Share

Nga Artur Ajazi

Ka që prej fundit të Dhjetorit 2023, që Sali Berisha i sheh gjëra dhe  gjykon situatat politike, sipas një “modeli” të rreckosur. I sheh dhe komenton gjërat, sipas  shpjegimeve që i japin me “sms” apo “email”, dhe harton  dhe mban fjalimet e përditshme. Zbrit nga ballkoni Doktor, zbrit dhe shiko se si po ecin, dhe kanë ndryshuar gjëra, situatat, si ka ndryshuar Shqipëria, Tirana, rrugët, politika, ekonomia, në këto 6 muaj, dhe pastaj do të ndryshosh edhe ti mendimin dhe tekstin e fjalimeve.

Të kanë gënjyer Doktor, të kanë mashtruar, dhe ti, i ke besuar. Po ikën 2024, dhe po afrohet fushata e re elektorale e 2025. Të kanë thënë se “Shqipëria është narkoshtet, se Edi Rama do të bjerë me emisione të RAI-3, se Qeveria Rama do të bjerë dhe do të kemi qeveri teknike”, apo dhe se “Erion Veliaj është gati të arrestohet, dhe hajde të nisim betejat me molotovë”.

Skenarët natyrisht Doktor, kanë miratimin tuaj, por “infot” e marra nga poshtë-lart, janë tinëzare, djallëzore. E keni humbur sensin e kuptimit të situatave Doktor. As qeveria, as Erion Veliaj, as Edi Rama, dhe Shqipëria, nuk bien Doktor. Nuk ikën qeveria se “del Muli, Belindi, apo dikush tjeter me ca letra bakalli, i tundin rrugëve dhe bulevardeve, dhe hajde se “u bë deti kos”. Nuk bie kollaj qeveria Rama, me protesta Doktor. E ke provuar edhe ti, edhe Luli, po e provon edhe Muli me Gazin. Doktor, zbrit nga ballkoni.

Thjesht për të prekur realitetin me dorën tënde. Shqipëria Doktor, po ecën e sigurtë drejt zhvillimit, drejt integrimit, SPAK-u Doktor, po “gozhdon” krimin, korrupsionin, ish-ministra dhe ministrat, po ndjek penalisht çdo person që ka patur dhe ka pushtet, post dhe ofiq, dhe ka vjedhur para shqipëtarësh.

Zbrit nga ballkoni Doktor, dhe do të shohësh se si funksionon jeta poshtë në rrugicë, edhe pse ata që të nisin “habere akshami” ta bëjnë “fushë me lule” situatën e opozitës tuaj. Zbrit Doktor nga ballkoni, dhe do ti japësh të drejtë Edi Ramës, Dumanit të SPAK-ut, dhe do ti “sikterrisësh” ata që deri dje i mbaje pranë. Ata i bëjnë “fresk” rrugicës, për të patur të sigurta pasuritë e vëna kur ti kishe pushtetin Doktor.

Zbrit dhe shko në këmbë drejt SPAK-ut, për të sqaruar përfundimisht problemet e tua, dhe për ti dhënë një mësim briland servilëve, që mbajnë fjalime dhe flasin budalliqe çdo natë poshtë banesës tuaj. Zbrit nga ballkoni Doktor, dhe do ta ndjesh vehten më të lehtësuar, ndoshta edhe opozitën ndaj Edi Ramës do ta bësh ndryshe.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button