Dalin pamjet/ Si u zbulua 7.3 kg kοkainë në portin e Durrësit
Policia e Durrësit dha detaje për një operacion të koduar “Pakot” dhe çoi në zbulimin e një sasie kokaine në një furgon në dalje të portit. “Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi Arjan Doçi.
Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: Arjan Doçi, 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit dhe Mentor Çuni, 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga. Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në drejtimin Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” – thuhet në njoftimin e policisë. ©LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al