Aktualitet dhe Lajme

Britania, trajnime prokurorëve e gjyqtarëve për hetimin e pastrimit të parave dhe sekuestros së pronave të shqiptarëve të krimit

Share

Krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE, Britania e Madhe është rreshtuar si një mbështetëse dhe financuese e rëndësishme e reformës në drejtësi.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ka mësuar detaje të tjera të qëllimit të vizitës së shkurtër të Lord Cameron në Tiranë ku ishte planifikuar një takim me kreun e SPAK Altin Dumani dhe krerët e institucioneve të reja të drejtësisë.

Por nuk u realizua pas largimit të rrufeshëm, nga Shqipëria e marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë nga ku kryeministri Rishi Sunak vendosi datën 4 Korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.

Krahas ndihmës që Britania do të japë në ndërtimin e hekurudhës Prishtinë- Durrës, vizita e Lord Cameron synonte edhe  çuarjen përpara të ndihmës britanike për institucionet e drejtësisë shqiptare.

Top Channel mësoi se bëhet fjalë një programi i ri i financuar nga qeveria britanike.

Do të shërbejë për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë në të avancuarin me çështjet që lidhen me hetimin e më pas gjykimin për pastrimin e parave, gjetjen dhe sekuestrimin e pronave të atyre shqiptarëve të përfshirë në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe dhe jo vetëm.

Sikurse pala britanike do të ndihmojë Drejtorinë e Policisë Kriminale me bazë logjistike dhe ekspertizë në lutën me krimin e organizuar dhe intensifikimin e hetimeve të atyre që organizojnë nga Shqipëria dërgimin e emigrantëve drejt El-Dorados shqiptare Anglisë.

Në funksion të kësaj pakete ndihme për drejtësinë dhe policinë shqiptare Top Channel mëson se të martën e ardhshme do të mbërrijë në Tiranë Lord Justice Dingemans-Kryetar i Gjykatës së Lartë angleze për të shpalosur, ndihmën e “Zyrës Britanike të Drejtësisë”.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit Shqipëri Britani e Madhe është edhe SPAK.

Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, SPAK pritet të marrë nga National Crime Agency  “Agjencia Kombëtare britanike kundra Krimit” listën e të gjithë të hetuarve nga kjo agjenci më pas të dënuar, me synimin e hetimeve në Shqipëri për të evidentuar pasuritë me qëllim konfiskimi me prejardhje kriminale./tch


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button