Berisha nxjerr shifrat: Ju them pse Censi u manipulua
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e konsideroi të manipuluar Censin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave që sot publikoi shifrat e tij. Berisha thotë se ajo që bie ndesh me shifrat e INSTAT janë shifrat e EURSTAT sipas të cilave vetëm 8 vite kanë kërkuar azil në BE gati 900 mijë shqiptarë në 8 vite.
“Shifrat që jep institucioni evropian i statistikave për shqiptarët që janë larguar nga vitit 2014 gjer në vitin 2022, pra në një hark kohor 8-vjeçar nga Shqipëria. EUROSTAT ka gjetur se në hapësirën e Shengenit janë larguar nga Shqipëria, shtetas shqiptar, 981 565 qytetarë, nga të cilët sipas EUROSTAT, 191 670 kanë kërkuar azil politik, 311 650 qëndrojnë si ilegalë në hapësirën e Shengenit kurse 478 245 kanë fituar dokumente të rregullta.
Por këto shifra nuk përfshijnë emigracionin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe, vend në të cilin vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 46 000 qytetarë. Dhe së bashku këto bëjnë 1.121.565 shtetas shqiptarë, 36.3% të popullsisë.
Por përsëri këtu nuk janë përfshirë 42 650 qytetarë shqiptarë që sipas statistikave të SHBA janë larguar me Kartën Jeshile për në këtë vend, duke e rritur kështu në 37.8% e popullsisë nga Shqipëria në 8 vite. Por këtu përsëri nuk përfshihen mijëra qytetarë shqiptarë që emigruan nga SHBA nga kufiri i Meksikës. Nuk përfshihen të tjerë që emigruan në Kanada, Norvegji, Australi, vendet e Gjirit Persik.
Pra miq, largimi i shqiptarëve, boshatisja e shqiptarëve nga viti 2014-2022 arrin përafërsisht në 40% të shqiptarëve në Shqipëri. Kjo shifër përputhet me shifrën që jep Ministria e Arsimit, e cila thotë se nga viti 2013 gjer në vitin 2023, numri i maturantëve u ul gjithsej në 28 mijë maturantë, apo 34% më pak se sa 10 vite më parë” – tha Berisha që premtoi ribërjen e Censit sapo PD të vijë në pushtet.
“Edi Rama zgjodhi t’i japë përgjigje, të lajë duart duke falsifikuar muaj të tërë, duke transfuzuar në të dhënat e regjistrimit, regjistrua të gjendjes civile e vetëm e vetëm për dy arsye. Së pari, ai e di se me veprimet e tij, me dhunën e tij, me arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për padi civile, për drita e ujë në vit, me rrënimin e dhjetëra mijëra banesave dhe bizneseve, me mohimin e drejtësisë, me mohimin e kafshatës së gojës për fëmijët shqiptare, ka krijuar kushte të llogaritura për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria.
Ka kryer në përputhje me konventën e OKB për gjenocidin, gjenocid mbi popullin e tij. Edi Rama e ka të qartë si drita e diellit se do të dënohet me gjenocid përjetë për këtë krim makabër. Dhe i them sonte këtij armiku të egër të qenies shqiptare, këtij Çubrilloviçi shqipfolës, se gjenocidi nuk parashkruhet kurrë dhe se të garantoj se vitin e parë të PD në pushtet do ribëhet censusi, regjistrimi i përgjithshëm i popullatës” – tha Berisha që premtoi dënim për të gjithë ata që falsifikuan shifrat e Censit. ©LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al