Aktualitet dhe Lajme

Aktivitetet e ndalura për administratën publike para zgjedhjeve të 14 majit

Share

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan CELIBASHI. Foto: KQZ

Celibashi u rikujton ndalimet e parashikuara në Kodin Zgjedhor që lidhen me veprimtari publike të kryeministrit, ministrave, kryetarëve të bashkive dhe institucioneve të tjera të pavarura në periudhën katër muaj përpara datës së zgjedhjeve.

“Duke filluar nga data 13 janar 2023 deri në datën 14 maj 2023, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe/ose çdo punonjës i administratës, apo personeli tjetër i institucionit”- thuhet në letrën e tij.

Sipas rregullores të gjithë këto institucione duhet të njoftojnë për zhvillimin e veprimtarisë publike të paktën 5  ditë përpara datës së parashikuar për zhvillimin e saj.

Në rast se nuk respektohet ky afat veprimtaria do të ndalohet nga KQZ dhe po ashtu do të ndalohet publikimi i në faqen elektronike zyrtare të institucionit apo në rrjetet sociale zyrtare të tij.

Sipas listës së ndalimeve do të konsiderohet veprimtari politike zgjedhore;  “promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e elektoratit e përfaqësuesve të partisë politike;  Pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie; promovimi i projekteve të ndryshme në investime, shërbime, për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 13 Janar dhe jashtë programit vjetor buxhetor të miratuar në fillim të vitit;  shpërndarja publike e lejeve të legalizimit dhe/ose çdo titulli pronësie në periudhën e përcaktuar në këtë kujtesë; zhvillimi i veprimtarive me karakter politik/zgjedhor në selitë dhe oborret e shkollave, në spitale e të tilla të ngjashme, në selitë e organeve publike qendrore dhe vendore, të tilla si ministri, bashki, agjenci të ndryshme e të tilla të ngjashme; etj..”

Komisioneri u kujton institucioneve publike se në çdo aktivitet të lejuar është e ndaluar “përdorimi i shenjave, logove, sloganeve, pankartave, posterave të lëvizshëm ose jo, materialeve propagandistike që identifikojnë drejtpërsëdrejti, apo tërthorazi një parti politike/subjekt zgjedhor apo kandidat në zgjedhje”.

Në veprimtaritë publike të institucioneve është e ndaluar gjithashtu që të ketë thirrje apo fjalime me përmbajtje partiake ose zgjedhore në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.

KQZ sqaron se këtij detyrimi i nënshtrohen edhe entet e tjera, ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit.

Përdorimi i burimeve njerëzore dhe fondeve publike për fushatë zgjedhore është një nga problematikat më të mëdha të proceseve zgjedhore në Shqipëri.

Pavarësisht ndalimeve me ligj sërish partia në pushtet është kritikuar në raportet e vëzhguesve të zgjedhjeve se ka përdorur asetet publike në funksion të fushatës partiake.

Pak para afatit ligjor që parashikon këto ndalime, qeveria mori dhjetra vendime për alokim fondesh për tetë bashki si dhe një paketë ndihme financiare për shtresat në nevojë duke ngritur pikpyetje për përdorimin e fondeve publike përpara zgjedhjeve vendore të 14 Majit.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button