
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar për herë të parë se kanë vendosur një armë hapësinore në orbitën e Tokës, duke pranuar publikisht ekzistencën e një kapaciteti ofensiv në hapësirë, raporton BBC.
Sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, Troy Meink, deklaroi se vendosja e një arme “në orbitë” ishte e nevojshme për të mbrojtur forcat amerikane nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve.
Duke folur të hënën në Konferencën për Ajrin, Hapësirën dhe Kibernetikën, Meink tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për t’iu përgjigjur “kërcënimeve në zhvillim”. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi llojin e armës, kapacitetet e saj apo kohën kur ajo është vendosur në orbitë.
Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë kanë deklaruar më herët se Uashingtoni synon të forcojë kapacitetet e tij ushtarake në hapësirë.
Këto plane lidhen veçanërisht me shqetësimet për programet e Rusisë dhe Kinës, të cilat po zhvillojnë teknologji që mund të përdoren për të sulmuar, dëmtuar ose ndërprerë funksionimin e satelitëve amerikanë në rast të një konflikti të ardhshëm.
starnews.al
