
Policia e Fierit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku një drejtuese automjeti shfaqej duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë shoqëruan drejtuesen e automjetit, së bashku me mjetin që ajo drejtonte, dhe morën ndaj saj masa administrative për shkeljet e konstatuara.
Shoferja u gjobit me 80 mijë lekë të rinj, ndërsa si masë plotësuese iu pezullua leja e drejtimit për 12 muaj, pasi nga verifikimet rezultoi se po drejtonte një automjet me fuqi motorike më të lartë se ajo që lejohet për kategorinë e patentës që zotëron.
Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të konstatuar, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprime në përputhje me ligjin.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetase duke drejtuar automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, ju informojmë se:
U shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë shtetasja S. M., së bashku me automjetin që drejtonte, dhe ndaj saj u mor masa administrative me gjobë në vlerën 80 000 lekë të rinj, për shkeljet e parashikuara në pikat 3 dhe 5 të nenit 123, pikat 3 dhe 5 të nenit 139, si dhe në nenin 117/1 të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, si masë plotësuese, drejtueses së automjetit, shtetases S. M., iu pezullua leja e drejtimit për një periudhë 12-mujore, pasi rezultoi se drejtonte një automjet me fuqi motorike më të lartë se ajo e lejuar për kategorinë e lejes së drejtimit që zotëron.
Policia Rrugore apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së këtyre rregullave, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.
Start News
