DRAFTI/Heqje konkursesh dhe kthim në punë të kryepolicit, pr/ligji i PS-së për Policinë, të hiqet konkursi edhe për shefat e komisariateve  

Share

Partia Socialiste ka propozuar sot në 21 maj ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit.

PS kërkon heqjen e konkursit në Departamente dhe Drejtori. Kjo, pasi e konsideron këtë proces se është i tejzgjatur dhe pa produktivitet.

Po ashtu, PS kërkon që të hiqet konkursi edhe për shefat e komisariateve.

“Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje. Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati”, thuhet në relacion.

Ndërsa, kryepolici mund të kthehet sërish në detyrë, pasi të përfundojë mandatin, duke mbajtur gradën “Drejtues i parë”.

“Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerësimi për krijimin e hapësirave ligjore për vijimin e tij në strukturat policore, mundëson që kjo eksperiencë të mos humbasë, por të përdoret në funksione këshillimore, pedagogjike në Akademi, apo si oficer kontakti. Kjo i përgjigjet nevojës që dija menaxheriale të vijojë t’i shërbejë institucionit, pa cenuar autoritetin e drejtuesit pasardhës”, thuhet më tej.

Gjithashtu, parashikohet ngritje në gradë për efektivët që kanë rezultate edhe për 4 vite.

“Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate. Në këtë këndvështrim, me synimin për një sistem më fleksibël, vlerësohet ulja e afatit të qëndrimit në këto grada, duke shmangur kohën si element formal dhe zhvendosur fokusin te performanca.

Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti, i cili jep rezultate në hetimin e krimit apo në rendin publik, t’i nënshtrohet një afati kaq të gjatë, ndërkohë që ka nevoja emergjente për të plotësuar vendet vakante në nivelin drejtues”, saktësohet në relacion.


Start News

Reklama
Back to top button