
Gazetarja dhe kritike letrare Arta Marku është emëruar drejtoreshë e re e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), njoftoi Ministri për Kulturën, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në Facebook.
Sipas ministër Gonxhjes, Arta Marku ka një rrugëtim të gjatë në kulturë, duke filluar karrierën në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë” dhe më pas duke punuar në “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia. Ajo ka drejtuar si kryeredaktore disa revista kulturore të njohura dhe ka prezantuar emisionet “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana.
Marku është angazhuar gjithashtu në promovimin e leximit për nxënësit e gjimnazeve dhe ka qenë pjesë e jurive të konkurseve letrare. Ajo është autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme dhe pritet të sjellë një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri.
Ministri Gonxhja falënderoi ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për kontributin e saj ndër vite në këtë institucion.
Start News
