Ka nisur restaurimi i Kishës së Shpërfytyrimit në fshatin Herbel të Maqellarës, një nga monumentet më të vjetra dhe të veçanta të trashëgimisë kulturore, e shpallur monument i kategorisë së parë që prej vitit 1970.
Punimet po realizohen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), dhe përfshijnë: ndërhyrje strukturore në themelet e kishës, restaurimin e fasadave të dëmtuara, riparimin e çarjeve, restaurimin e dyshemesë me pllaka guri si dhe ruajtjen e elementeve origjinale të tavanit dhe pikturës murale.
Sipas të dhënave nga procedura prokuruese, fondi limit për punimet e restaurimit arrin në afro 30 mijë euro, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është parashikuar të jetë 120 ditë. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të shpëtuar dhe promovuar trashëgiminë e rrallë kulturore që ndodhet në zonat rurale të vendit.

Kisha ndodhet në një kodër të lartë në jugperëndim të fshatit Herbel dhe përfaqëson një ndërtim të thjeshtë, me planimetrinë tipike pronaos-abside. Muratura është prej guri gëlqeror dhe tullash, të lidhura me llaç gëlqereje, dhe përfshin elementë që i përkasin periudhës para pushtimit osman. Në qendër të absidës ndodhet një dritare e ngushtë dhe e lartë, që shërben si burim natyral drite për altarin.
Kishat e periudhës bizantine që ndodhen në fshatrat e njësisë administrative Maqellarë në Dibër, prej vitesh ruhen dhe mirëmbahen nga vetë banorët e zonës, shumica prej të cilëve janë të besimit mysliman. Përkundër ndryshimeve të besimit ndër shekuj, komuniteti vendas ka treguar kujdes të vazhdueshëm për këto monumente të trashëgimisë kulturore, duke i mbajtur të paprekura dhe duke respektuar vlerën e tyre historike dhe shpirtërore.

Në Shqipëri ekzistojnë disa kisha të emërtuara “Kisha e Shpërfytyrimit”, të shpërndara në zona me traditë të hershme të krishterimit ortodoks, veçanërisht në jug dhe verilindje të vendit. Përveç Kishës së Shpërfytyrimit në fshatin Herbel të Dibrës, një monument i kategorisë së parë nga shekulli XII, të tilla kisha gjenden edhe në Gjirokastër, ku ndër më të njohurat janë ajo brenda qytetit të vjetër, ndërtuar në vitin 1784, dhe ajo e Manastirit të Shpërfytyrimit në fshatin Çatistë. Një tjetër objekt me të njëjtin emër ndodhet në Mingul të Gjirokastrës, si dhe referenca të tjera gjenden në komunitete më të vogla ortodokse në Korçë, Fier e Lezhë.
Emri “Shpërfytyrim” i referohet një ngjarjeje të rëndësishme në jetën e Jezus Krishtit, të përshkruar në ungjijtë, ku ai shfaqet në lavdinë hyjnore para dishepujve të tij, me fytyrë të ndritshme dhe rroba të bardha si drita. Kjo ngjarje, e njohur si Shpërfytyrimi i Krishtit, përfaqëson një zbulim të natyrës së tij hyjnore dhe përkujtohet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike më 6 gusht. Kremtimi i saj është i lidhur me besimin në ringjallje dhe lavdinë qiellore, ndaj shumë kisha në traditën bizantine dhe pasardhëset e saj janë kushtuar pikërisht kësaj ngjarjeje të shenjtë.