Aktualitet dhe Lajme

Nuk ndalen serbët/ Mijëra protestues u bashkohen studentëve në Beograd, incidente të dhunshme me policinë (VIDEO)

Share

SERBI- Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Beogradit për të mbështetur kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Demonstrata u organizua nga studentët të cilët, me një ultimatum drejtuar qeverisë serbe, kërkuan që shpërbërja e Parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të shpalleshin deri në orën 21:00.

Kur afati skadoi dhe nuk pati përgjigje, studentët njoftuan se protestat pushojnë së qënuri protesta studentore dhe u bënë thirrje qytetarëve të marrin fatin në duart e tyre.

Mijëra protestues u drejtuan drejt pallatit presidencial, duke brohoritur slogane kundër Aleksandar Vuçiç.

Forca të shumta policie i penguan ata duke përdorur granata zhurmuese. Situata është e tensionuar rreth pallatit presidencial. Forca speciale të policisë me xhipa të blinduar u shfaqën në qendër të qytetit.

Tensionet janë rritur ndjeshëm përpara protestës së organizuar nga studentët e universitetit të Serbisë, një forcë kyçe pas demonstratave mbarëkombëtare kundër korrupsionit që filluan pasi u shemb një çati e rinovuar e stacionit hekurudhor, duke vrarë 16 persona më 1 nëntor.

Shumë veta ia vunë fajin rrëzimit të çatisë së betonit korrupsionit të përhapur qeveritar dhe neglizhencës në projektet shtetërore të infrastrukturës, duke çuar në protesta masive të përsëritura.

Vuçiç dhe Partia e tij e krahut të djathtë Progresive Serbe kanë refuzuar kërkesën për votim të parakohshëm dhe kanë akuzuar protestuesit se po planifikojnë të nxisin dhunë me urdhër nga jashtë, të cilin ata nuk e specifikuan.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe do të mbahen në vitin 2027.

 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button