Bulqizë: Këshilli Bashkiak miraton buxhetin për vitin 2025 mes debatesh dhe kundërshtimesh
Me votat e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe disa prej partive të vogla, Këshilli Bashkiak i Bulqizës miratoi buxhetin për vitin 2025. Në mbledhjen e fundit për këtë vit, pati debate që në nisje të saj. Banorë të lagjes “Duriçi” në qytetin e Bulqizës, ishin mbledhur për të kundërshtuar miratimin e buxhetit. Shkaku kryesor ishte lënia jashtë planit të investimeve për vitin 2025 e rrugës lidhëse me qytetin, ndryshe nga çfarë ishte premtuar dhe parashikuar në listën e prioriteteve. Banorët u larguan nga salla, pasi kryebashkiakja, Festime Mjeshtri, i takoi në zyrën e saj, duke u premtuar se do të shqyrtohej mundësia për investimin e rrugës në vitin 2026.
Përmbajtja e buxhetit për vitin 2025
Bashkia Bulqizë ka planifikuar një buxhet prej 931.154 mijë lekësh, i cili do të financohet nga burime të ndryshme. Buxheti prej 234,428,000 lekësh për investime do të shpërndahet si vijon:
– Gjoricë: 127,000,000 lekë (54.2%) për asfaltimin e rrugës Çerenec – Viçisht.
– Shupenzë: 49,828,000 lekë (21.3%) për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bllacë (Loti 2), Shtushaj dhe Zogjaj.
– Fushë-Bulqizë: 24,600,000 lekë (10.5%) për rrugën lidhëse mes Dragut dhe Koçaj.
– Zerqan: 23,500,000 lekë (10%) për rrugët e lagjeve në fshatin Valikardhë.
– Bulqizë (qendër): 9,500,000 lekë (4%) për rikonstruksionin e Çerdhes Nr.1.
– Martanesh, Ostren dhe Trebisht: 0 lekë (0%).
Ky buxhet fokusohet kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rikonstruksionin e objekteve publike. Ndërsa njësi të tilla si Martanesh, Ostren dhe Trebisht nuk përfitojnë investime këtë vit.
Shpenzimet dhe pagat për vitin 2025
Shpenzimet për vitin 2025 janë të ndara në:
431,314 mijë lekë (46%) për pagat dhe shpenzimet e personelit.
226,171 mijë lekë (24%) për shpenzimet operative.
273,669 mijë lekë (23%) për shpenzimet kapitale.
Një rritje prej 6% vërehet në transfertat e pakushtëzuara krahasuar me vitin 2024. Me udhëzim të Ministrisë së Financave, një pjesë e rritjes së pagave do të përballohet nga të ardhurat e vetë bashkisë. Ky fakt ka çuar në uljen e buxhetit për investime.
Në tetor 2024, Këshilli Bashkiak miratoi një vendim për rritjen e pagave. Kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, do të marrë një pagë prej 240,000 lekësh në muaj (rreth 2,400 euro). Rritje të ndjeshme të pagave kanë përfituar edhe drejtues të tjerë të bashkisë dhe administratorët e njësive administrative, ndërsa punonjësit e shërbimeve publike kanë përfituar rritje minimale.
Kundërshtimet për buxhetin
Kryetari i Grupit të Këshilltarëve të Opozitës në Këshillin Bashkiak, Shaqir Manjani, gjatë mbledhjes, e cilësoi këtë buxhet në shkelje të ligjit për financat vendore. Ai përmendi nenin 41 të Ligjit për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, i cili përcakton afate dhe procedura për miratimin e buxhetit. “Kryetari paraqet projektbuxhetin në këshill deri në 30 nëntor, dhe anëtarët e këshillit mund të propozojnë ndryshime të argumentuara. Këshilli miraton buxhetin deri në 25 dhjetor. Më thoni, kur e keni sjellë buxhetin? E thoni dot? Jo. Ky nen siguron një mekanizëm të qartë për përgatitjen dhe miratimin e buxhetit vjetor në nivel lokal, duke garantuar kështu një planifikim financiar të qëndrueshëm dhe transparent. Ju e keni shkelë këtë ligj dhe ky buxhet është i paligjshëm.” tha Manjani.
Përfaqësues nga zyra e financës pranuan në heshtje faktin se buxheti ishte sjellë përtej afateve të parashikuara në ligj. Kryetarja e bashkisë nuk dha asnjë shpjegim për këtë vonesë në dorëzimin e buxhetit. Ajo ia kaloi fjalën zëvendësit të saj, Haxhi Pulja. Këshilltarët e opozitës e refuzuan këtë qasje. Për ta, “ishte e papranueshme që kryetarja të jetë e pranishme në sallë dhe të mos japë asnjë shpjegim”.
Terminali i udhëtarëve “çdo mbledhje temë diskutimi”
Në mbledhjen e këshillit bashkiak të enjten, një pikë në rendin e ditës, që lidhej me përcaktimin e vendqëndrimit të taksive në qytetin e Bulqizës, u miratua fillimisht, por më pas u hoq nga diskutimi me votat e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe disa partive të vogla. Arsyeja e deklaruar ishte se kjo çështje nuk kishte kaluar më parë në komisionin e ekonomisë.
Ndërkohë, terminali i udhëtarëve në Bulqizë mbetet temë e nxehtë diskutimi prej disa mbledhjesh. Disa këshilltarë dhe përfaqësues të bizneseve në zonën e pedonales, pretendojnë se terminali është miratuar përmes një kontrate të kundërligjshme në vitin 2023 nga ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë, Gëzim Xhafa. Ky i fundit, aktualisht anëtar i këshillit nga radhët e Partisë Socialiste, akuzohet nga përfaqësuesit e bizneseve se ka abuzuar me detyrën, si i komanduar për drejtimin e bashkisë dhe kërkojnë që kontrata të hetohet nga organet e drejtësisë.
Pronaret e bizneseve kanë ngritur shqetësimin se ndërtimi i terminalit mes dy lagjeve ka shkaktuar falimentimin e një pjese të konsiderueshme të tyre. Ata kërkojnë hapjen e lëvizjes për automjetet në një pjesë të pedonales, duke theksuar se premtimet për zgjidhje nga kryetarja e bashkisë dhe administrata kanë rezultuar të pavërteta për muaj me radhë.