Shpërthimi me 6 të vdekur në Athinë, urdhër arresti për dy grekë dhe një shqiptar! Vodhën tubat e bakrit të linjës së gazit

Share

34 ditë pas shpërthimit në Plaka të Athinës, që la pas gjashtë të vdekur mes tyre tre shtetas shqiptarë, autoritetet greke kanë arritur të zbardhin ngjarjen: bëhet fjalë për një akt sabotimi.

Janë identifikuar tashmë tre persona, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-arresti për shpërthimin e ndodhur më 25 shtator, në orën 07:30 të mëngjesit, në një ndërtesë në rrugën Lysikratous.

Hetimi, i cili u zhvillua nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore dhe përmes punës intensive e metodike të Drejtorisë për Trajtimin e Krimeve të Zjarrvënies pranë Shërbimit Zjarrfikës, çoi në zbardhjen e shpërthimit vdekjeprurës që tronditi zonën e Plakës.

Shfrytëzimi i gjetjeve hetimore dhe dokumentimi shkencor i rastit çuan në identifikimin e tre personave, dy grekë dhe një shtetas shqiptar, ndaj të cilëve autoritetet gjyqësore kompetente të Athinës kanë lëshuar urdhër-arreste.

Sipas të dhënave të hetimit, këta tre persona dyshohet se kanë kryer një akt sabotimi në tubacionet e sistemit të gazit natyror, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.

Nga shpërthimi që çoi në shembjen e ndërtesës humbën jetën një çift të moshuarish grekë, si dhe tre shtetas shqiptarë Florian dhe Florida Hoxha, motër e vëlla, Eris Cani, së bashku me Ian Alekxander Kirkpatrick, të cilët ndodheshin me pushime në Athinë dhe kishin prenotuar apartamentin në AirBnb.

Hetimi i veprimeve të tyre dhe dokumentimi i lidhjes së tyre me shpërthimin përbënin boshtin qendror të hetimit. Që në momentin e parë, hetimet u zhvilluan në kushte fshehtësie të skajshme, njoftuan autoritetet greke.

Duke filluar nga mëngjesi i 25 shtatorit 2026, kur ndodhi shpërthimi, zyrtarë të specializuar punuan çdo ditë, ditë e natë, në kushte fshehtësie të plotë, për të zbardhur rrethanat e tragjedisë, shkruajnë mediat greke.

Gjatë 34 ditëve që kanë kaluar deri më sot, 29 tetor 2026, puna hetimore është ndërthurur me ekzaminimin shkencor të specializuar të provave të gjetura.

Një pjesë vendimtare e hetimit ishte rindërtimi i vendit të shpërthimit, përmes veprimeve metodike dhe të koordinuara, me qëllim përcaktimin e vendndodhjes dhe marrëdhënies midis provave të gjetura, si dhe rindërtimin e sekuencës së ngjarjeve.

Ky proces u shoqërua me analizën e thelluar të materialeve audiovizive, shfrytëzimin e provave të siguruara pas heqjes së konfidencialitetit të komunikimeve, si dhe me vlerësimin sistematik të provave të mbledhura në vendngjarje.


Start News

Reklama
Back to top button