Mirëmbajtja emergjente e rrugës Burrel – Rrëshen në letra, kontrata akoma pa nënshkrim
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar procedurat tenderuese për mirëmbajtjen emergjente të rrugës Kthesa e Lapidarit – Rrëshen, një segment rrugor 25.8 km i gjatë, i klasifikuar si rrugë interurbane dytësore e kategorisë C. Tenderin e ka fituar kompania “UDHA” me një ofertë prej 5,180,591.00 lekë, ndërsa fondi limit i vendosur për këtë investim ishte 6,754,935.72 lekë.
Data e shpalljes së fituesit për tenderin e mirëmbajtjes emergjente të rrugës Burrel – Rrëshen ishte 1 Gusht 2024. Megjithatë, deri më sot, kontrata për realizimin e projektit nuk është lidhur ende, duke shkaktuar vonesa në fillimin e punimeve. Rruga Rrëshen-Burrel vijon të degradojë, duke krijuar pengesa për komunitetin dhe transportin, veçanërisht me afrimin e dimrit.
Ky segment rrugor, i cili kalon nëpër një terren malor dhe përfshihet në inventarin e Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër, është pjesë e aksit kryesor që lidh qytetin e Rrëshenit me qytetet e tjera si Burreli, Klosi, Bulqiza, Peshkopia dhe Maqedonia e Veriut. Rruga është ndërtuar në vitin 2013 me financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por cilësia e dobët e punimeve dhe mungesa e mirëmbajtjes kanë çuar në amortizimin e shpejtë të saj. Gjendja aktuale e rrugës është problematike, me dëmtime në shtresat asfaltike, sinjalistikë dhe skarpata.
Segmenti klasifikohet i kategorisë C si rrugë interurbane dytësore, me një karrexhatë, me dy korsi lëvizjeje (nga një për çdo sens), me dy bankina 50 cm te paasfaltuara. Gjerësia mesatare e pjesës kaluese të rrugës është 6.5 ml. Për nga shtrirja gjeografike ky segment rrugor kalon i gjithi nëpër një terren malor, i cili përfishihet në të gjithë gjatësinë e tij, si segment me mirëmbajtje dimërore.
Në relacionin teknik citohet se, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes që nga përfundimi i punimeve në vitin 2013, rruga ka pësuar dëmtime të rënda, duke përfshirë dëmtime të nënshtresave dhe shtresave asfaltike, dëmtim të sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe dëmtime të barrierave mbrojtëse dhe trupit të rrugës në hyrje të urave.
“Aktualisht ky aks kërkon rehabilitim total,” vërehet në raport, duke shtuar se përfshirja e tij në kontrata mirëmbajtjeje është e domosdoshme për të siguruar kushte të përshtatshme për kalimin e mjeteve deri në momentin kur do të ndërhyhet për një rehabilitim të plotë. Konkretisht, punime të tilla si pastrimi i kanaleve dhe kunetave, mbushja me çakull e gropave dhe përmirësimi i sinjalistikës vertikale.