Fitorja e Donald Trump, vajza transgjinore e Elon Musk njofton largimin nga SHBA: S’mund të qëndroj më aty
Vivian Jenna Wilson, vajza transgjinore e manjatit Elon Musk, ka njoftuar se dëshiron të largohet nga Shtetet e Bashkuara pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. 20-vjeçarja përmes një postimi në Threads shprejgoi se konfirmimi i rizgjedhjes së Trump e shtyu atë të reflektonte për të ardhmen e saj jashtë vendit.
“Unë nuk e shoh të ardhmen time në Shtetet e Bashkuara,” shkroi Vivian Jenna Wilson, duke kritikuar klimën politike dhe tensionet në rritje ndaj komunitetit LGBTQ+.
Gjithashtu Wilson kishte ndërprerë lidhjet me Elon Musk në vitin 2022, kur ajo zyrtarisht kërkoi ndryshimin e emrit dhe gjinisë. Që atëherë, marrëdhënia e tyre është bërë gjithnjë e më e tensionuar, me akuza të ndërsjella që shfaqen në rrjetet e tyre sociale.
Musk, një mbështetës i njohur i Trump, ka deklaruar në disa intervista se ai beson se ndarja me vajzën e tij u shkaktua nga ndikimi i “neo-marksistëve” në shkollat elitare që Wilson ndoqi.
Wilson nga ana e saj iu përgjigj me kritika të ashpra babait të saj, të cilësuar në një intervistë si “të ftohtë” dhe “mizor”. Ajo gjithashtu hodhi poshtë akuzat e Musk se ai ishte mashtruar në lidhje me ndryshimin e gjinisë, duke ndarë episode nga fëmijëria e saj në të cilat ajo pretendon se ishte trajtuar ashpër për mënyrat e saj femërore.
“Ai nuk u mashtrua”, tha Wilson, duke specifikuar se Musk ishte plotësisht i vetëdijshëm për zgjedhjet mjekësore që donte t’i nënshtrohej.