“Burgosja, një masë ekstreme”, Meta rrëfehet nga ‘313-ta’: SPAK është një krijesë e Edi Ramës
Kryetari i PL-së, Ilir Meta e konsideron burgosjen e tij një masë ekstreme. Meta dha një intervistë ekskluzive në ‘Frontline’ Report Tv për moderatoren Marsela Karapanço, nga ku ka folur për dosjen e SPAK teksa hodhi akuza kundrejt këtij institucioni.
SPAK e quan krijesë të Edi Ramës dhe thotë se gjërat kanë ndryshuar nga 21 Nëntori i vitit të kaluar kur u gjetën disa telefona të bashkëpunëtorëve të tij të afërt.
Masën ekstreme të burgosjes së tij e quan pakt mes Edi Ramës dhe Altin Dumanit për ti dhënë këtij të fundit një mandat tjetër 9-vjeçar siç e kanë kërkuar.
Ish Presidenti i Republikës ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024 pasi po hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 3 akuza lidhur me dosjen e lobimit në SHBA dhe dosjen Cez Dia.
Pse sipas jush SPAK nuk po bën detyrën, por mbron vetëm Edi Ramën?
Ilir Meta: Pse na habisni me pyetje të tilla? Kur të gjithë prisnin që SPAK të hetonte dosjen 184 të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër, SPAK-u ia kaloi për competence prokurorisë së rrethit.
Kjo ishte dosja që tronditi Europën, Parlamentin Europian që vuri kusht hetimin e saj, Bundestagun, etj.
Por SPAK-u, kjo krijesë e Edi Ramës s’mund të hetonte Edi Ramën.
Kur dy kolegët tuaj zbuluan skandalin e patronazhistëve me abuzimin me të dhënat e qytetarëve në prag të zgjedhjevetë 2021, SPAK nuk nisi hetimin e Qeverisë dhe AKSH për shkeljen e ligjit por iu turr dy kolegëve tuaj pse plasën këtë skandal të madh që dëshmonte se si shteti planifikonte të intimidonte qytetarët për t’ju kontrolluar votën.
Kur opozita denoncoi në SPAK zyrtarët e lartë të PS dhe shtetit që mobilizonin bandat në Elbasan për të vjedhur e blerë votat, SPAK ia kaloi këtë çështje Prokurorisë së Elbasanit e cila ishte në konflikt të hapur interesi, pasi Prokurori i Elbasanit kishte vëllain në listën e PS për deputet.
Nga ky mosveprim me dashje i SPAK-ut kemi edhe tragjedinë dhe gjakderdhjen e Elbasanit në prag të zgjedhjeve.
Po sjellja antikushtetuese e SPAK me Prof.Dr Berishën, liderin e Partisë Demokratike duke shmangur Parlamentin dhe montuar akuza nga më absurdet kujt i shërbeu?
Ndërkohë që ndërruesit e destinacionit të Klubit Partizani, Edi Ramës, as emrin nuk guxon t’ia përmendë.
Apo harruat kërcënimin që Dumani i bëri ish-Zëvendëskryeministrit Ahmetaj pasi ai denoncoi pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, si edhe faktin se SPAK i di se ku janë 60 milion eurot por s’ka vullnet t’i gjurmojë.
SPAK për një autokombajnë shkul një fshat të tërë e sjell në Tiranë, ndërsa inceneratorin që nuk ekziston prej vitesh dhe që paguhet çdo ditë e quan krim intelektual, kur dihet që është grabitje pa maska e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Po arrestimi im nga SPAK kujt i shërben?
A ka ndonjë rast që nuk i jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut unë?
Çfarë provash mund të zhduk unë kur dihet se s’ka asnjë provë të tillë, por vetëm thashetheme, histori të inskenuara dhe intervista e deklarime të bëra prej shumë kohësh përpara se unë të zgjidhesha President nga Partia Socialiste në Pranverën e 2017?
Çështja CEZ-DIA është një histori gati 15-vjeçare e cila është gjykuar disa herë.
Po kështu këtë e ka rimarrë Dumani para 5 vitesh në Dhjetor 2019 në kulmin e përplasjeve të mia si President me Kryeministrin dhe McGonigalët që e mbështesnin për të kapur plotësisht edhe Gjykatën Kushtetuese, pasi e kishin kapur Prokurorinë në mënyrë antikushtetuese me 69 vota e bashkë me të edhe KLP dhe SPAK-un.
Po të kishin prova këta kishin vepruar me kohë pa u detyruar të bënin një akt tjetër shumë të rëndë menjëherë sapo unë dorëzova detyrën e Presidentit dhe mora drejtimin e Partisë së Lirisë duke falsifikuar dosjet e Sigurimit të Shtetit për të më nxjerrë nga politika në mënyrë po banditeske.
Sigurisht shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 Nëntori i vitit të kaluar kur ata gjetën disa telefona të bashkëpunëtorëve të mi të afërt.Por në ata telefona nuk ka asnjë gjë që më implikon mua, përkundrazi.
Më akuzon mua SPAK-u i Edi Ramës se paskam ndikuar në favor të një biznesmeni për të ndryshuar një ligj në Parlament, kur inicimin e këtij ligji e ka bërë deputetja e Edi Ramës. Po kështu dihet që Kryetari i Kuvendit në procesin e ligjbërjes nuk ka asnjë rol, por ka vetëm një votë si 140 deputetët e tjerë. Plus si mund të votohej ai ligj pa 65 votat e Edi Ramës?
Është po ky SPAK që kur unë denoncoja si President ligjet që bënte me porosi me emra të përveçëm në Parlament Edi Rama, kthente përgjigje se nuk merrej me çështjet për të cilat kishte votime kolegjiale.
Ky është SPAK-u i standardeve të shumëfishta, pra shumëfytyrësh. Kujt i shërben bllokimi i hetimeve këtu për çështjen McGonigal? Si mund të hetojë Dumani mikun e tij McGonigal? Ata kanë nisur bashkë shumë punë për llogari të Edi Ramës.
A keni frikë se në 2025 Partia e Lirisë me ju në burg do të shkojë për “skrap” siç kishte dëshiruar prej vitesh Edi Rama?
Ilir Meta: Problemi është se po shkon për “skrap” Shqipëria dhe e ardhmja e saj përmes politikës së nxitur të shpopullimit nga Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare sorosiane.
Problemi është se Edi Rama me vetëdije të plotë duke shkelur Kushtetutën e ligjet po çon për “skrap” çështjen e Detit duke bërë totalisht lojën e interesave greke, pavarësisht nga retorika teatrale që bën herë pas here.
Partia e Lirisë pavarësisht nga dëmet kolosale që ka pësuar që nga akti skandaloz i djegies së 19 mandateve dhe fryma e nepotizmit që mbizotëronte fatkeqësisht edhe në rini, pavarësisht nga marrja peng e disa prej ish-drejtuesve të saj nga SPAK dhe regjimi, do të dalë më e fortë në zgjedhjet e 2025.
Do skarcohen hipokritët e dyfytyrëshat e do afirmohen qëndrestarët e patriotët.
Nuk ka njeri që nuk e kupton se e vetmja arsye pse izolohet me këtë masë ekstreme Ilir Meta, President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe ish-President i Republikës është një shërbim i neveritshëm që SPAK i bën Ramës që ky të marrë një mandat tjetër, por edhe ky t’u japë këtyre të SPAK-ut një mandat tjetër 9-vjeçar siç e kanë kërkuar.
Po kështu unë kam besim te të gjithë drejtuesit me integritet dhe patriot të Partisë së Lirisë se do të shumëfishojnë përpjekjet e tyre për të çuar përpara kauzat tona shumë të drejta dhe kombëtare.
Pastaj kjo është maratonë dhe do ta fitojmë për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga kjo bandë që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejtat e njeriut dhe as llogaridhënie. Partia e Lirisë do të jetë gjithmonë një kështjellë e patriotizmit dhe interesit kombëtar.