Aktualitet dhe Lajme

Berisha i mbylli derën e PD/ Basha: Rama i dha vulën në këmbim të pushtetit

Share

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi në një intervistë televizive se Lulzim Basha i ka të mbyllura dyert për t’u përshirë në grupin e PD. “Ka deputetë që po kthehen dera është e hapur. Basha i ka mbyllur vetes çdo derë veç asaj të banesës së turpit. Ai është një nga përgjegjësit për të gjithë procesin e instalimit të narkodiktaturës nga Rama sepse i hapi rrugën të veprojë në këtë mënyrë. Deputetët e tjerë e kanë derën e hapur”, u shpreh ai.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lulzim Bashës. Në një postim në rrjetet sociale, ai u shpreh se ish-kryeministri po përdor demokratët për t’u mbrojtur nga drejtësia, SHBA dhe Britania e Madhe. Sipas tij, pazari i Berishës me Edi Ramën, për t’i lënë këtij të fundit pushtetin është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve.

“E kuptoj që Sali Berishës i ka mbetur vula në dorë dhe i duhet të rishpik armiq të jashtëm e të brendshëm. Pazari me Ramën për t’i lënë atij pushtetin, është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm. Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di që vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës. 

Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, ndërsa, në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë.

Prandaj dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjëve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige. Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim” – tha Basha. /LAPSI.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button