
Pesë adoleshentë, të moshës 13 deri në 15 vjeç, dyshohet se rrahën për vdekje një burrë të pastrehë në Binghamton, New York, në kuadër të një trendi shqetësues në rrjetet sociale që konsiston në sulmimin e personave të pastrehë dhe publikimin e videove në internet.
Sipas policisë, viktima ishte 45-vjeçari Peter Benedham, i cili u sulmua mbrëmjen e 27 prillit në zonën mes rrugëve Carroll dhe Henry, në qendër të Binghamtonit. Ai u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike.
Katër adoleshentë, dy 14-vjeçarë dhe dy 15-vjeçarë, u arrestuan fillimisht me akuzën për tentativë vrasjeje
Më 5 maj, Benedham ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, pasi familja vendosi të ndërpriste mbështetjen me aparatura. Autopsia e përcaktoi vdekjen si vrasje, ndërsa akuzat ndaj të rinjve u rënduan në vrasje të shkallës së dytë.
Një ditë më vonë, autoritetet arrestuan edhe një të dyshuar të pestë, një djalë 13-vjeçar, i cili u gjet në Whitney Point, New York. Katër të miturit e tjerë po mbahen në një qendër paraburgimi për të mitur në Qarkun Broome.
Komuniteti lokal ka reaguar me tronditje dhe zemërim pas ngjarjes. Qindra persona u mblodhën në vendin e sulmit për të nderuar kujtimin e Benedham.
“Mbani mend emrin e tij: Peter Benedham”, shkruhej në një pankartë gjatë një vigjiljeje përkujtimore.
