Aktualitet dhe Lajme

Video/ Kombëtarja shqiptare mbërrin në Austri: Gjimshiti humbet miqësoren me Lihtenshtejnin

Share

Stërvitja e fundit në tokë shqiptare dhe pastaj fluturimi për në Austri ku seleksioni i teknikut Sylvinho do të qendrojë deri në 8 qershor, përpara se të grumbullohet në Gjermani për Europianin. Kështu, pasi Kombëtarja shqiptare kreu paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore, krejtësisht me dyer të mbyllura, u nisën drejt Austrisë, ku kanë mbërritur tashmë. Kuqezinjtë kanë mbërritur në Graz të Austrisë dhe është akomoduar menjëherë në hotel.

Nuk ka qenë pjesë e stërvitjes, ashtu si edhe një ditë më parë, portieri i Cittadella Elhan Kastrati, që është goditur nga një gjendje gripale dhe madje ka qendruar i izoluar për të evituar shpërndarjen e virusit në skuadër. Nuk kanë udhëtuar me ekipin e janë kthyer ndërkohë te përfaqësuesja U21, duke kaluar nga urdhërat e Sylvinhos nën ato të Bushit dy të rinjtë Maksuti e Alivoda, të thirrur nga braziliani, për të kompletuar skuadrën duke qenë se tre nga 27 lojtarët e listës Gjimshiti, Abrashi e Seferi, do të bashkohen me grupin vetëm në Austri për shkak të impenjimeve me klubet e tyre.

Lexo më tejSilvinjos i mungojnë tre lojtarë, therret dy nga U21: Gjimshiti, Seferi e Abrashi bashkohen me kombëtaren në Graz

GJIMSHITI HUMBET LIHTENSHTEJNIN

Kombëtarja shqiptare do të luajë edhe dy ndeshje miqësore para finaleve të Europianit “Gjermani 2024” ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit. Sidoqoftë vetëm të hënën Sylvinho do të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion. Abrashi luan sonte ndeshjen e fundit dhe të shtunën do të jetë në Graz, Seferi e ka impenjimin e fundit në datën 1 dhe me grupin bashkohet të dielën, ndërsa Gjimshiti luan me Atalantën e tij të dielën në mbrëmje dhe vihet në dispozicion të teknikut të hënën.

Mbrojtësi do të humbasë miqësoren e parë, atë të 3 qershorit ndaj Lihtenshtejnit në orën 20:00, duke qenë se mbërrin në Austri vetëm ditën e ndeshjes. Kapiteni pastaj do të jetë në fushë ndaj Azerbajxhanit në 7 qershor, në orën 19:00, në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari, ditë në të cilën edhe një lojtar nga 27 të përzgjedhurit do të kthehet në shtëpi, me kuqezinjtë e tjetër që do të fluturojnë në 8 qershor drejt Gjermanisë.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button