Aktualitet dhe Lajme

Ukraina godet objektiva në thellësi të Rusisë

Share

Ukraina lëshoi të martën një numër dronësh me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në thellësi të Rusisë, duke goditur të paktën dy objekte nafte në një sulm ndaj tetë rajoneve të vendit, thanë zyrtarët rusë.

Po të martën, ushtarë për të cilët zyrtarët e Kievit thonë se janë vullnetarë rusë që luftojnë për Ukrainën, njoftuan se kishin kaluar kufirin e Rusisë, një gjë që e kanë bërë disa herë që kur filloi lufta.

Rusia tha se i kishte zmbrapsur përpjekjet për inkursione, por pretendimet e asnjërës palë nuk kanë mundur të verifikohen.

Një dron ukrainas goditi dhe i vuri flakën një rafinerie nafte në rajonin e Nizhny Novgorodit, sipas guvernatorit rajonal Gleb Nikitin. Ky rajon ndodhet rreth 775 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Në një sulm tjetër në thellësi të Rusisë, një dron u rrëzua në rajonin e Moskës, tha kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin. Megjithëse ai ra larg qendrës së qytetit, droni ishte pranë Aeroportit Zhukovsky, një nga katër aeroportet ndërkombëtare të Moskës.

Një tjetër dron goditi një depo nafte në Oryol, 116 kilometra larg Ukrainës.

Sulmet duken të jenë dëshmi e sofistikimit në rritje të teknologjisë ukrainase të dronëve dhe rritjes së guximit për ta çuar frontin e luftës në Rusi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha vitin e kaluar se vendi i tij ka zhvilluar një mjet luftarak me rreze veprimi prej 700 kilometrash, mesa duket duke iu referuar dronëve.

Ukraina gjithashtu ka dërguar gjithnjë e më shumë dronë detarë në Detin e Zi, ku pretendon se ka fundosur anije luftarake ruse./VOA




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button