
Një udhëtim i zakonshëm drejt punës është shndërruar në një fatalitet të rëndë mëngjesin e së mërkurës për gazetarin 26-vjeçar Xhesjon Zogu. I riu, i cili udhëtonte nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur mbi Urën e Gjolës, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi një automjet tip “Benz”, i cili udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar. Mjeti është përplasur kokë më kokë me automjetin tip “Land Rover” që drejtohej nga gazetari Xhesjon Zogu, i cili vinte në drejtim të kundërt. Përplasja ka qenë tejet e fortë, duke u shkaktuar dëme të shumta materiale të dyja mjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëhirë shërbimet e urgjencës, por gazetari 26-vjeçar nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur edhe shoferi i mjetit tjetër, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Humbja e 26-vjeçarit ka tronditur opinionin publik, ndërsa pas figurës së tij fshihej një histori e trishtë familjare. Xhesjon Zogu u rrit jetim, pasi babai i tij u vra 20 vite më parë. I riu jetonte vetëm me nënën e tij që vuan nga një sëmundje e rëndë kancerogjene, ndërsa i vëllai ndodhet i arrestuar. Pavarësisht këtyre sprovave të mëdha jetësore, Xhesjoni zgjodhi të ecte përpara dhe të ndiqte pasionin e tij për median, ku punoi me përkushtim në disa uebsajte dhe televizione në vend.
Start News